Rama nxjerr videon nga aksioni në Karaburun/ Ministri: Riaktivizohet zjarri në Dukat, ngjarja e qëllimshme

07/08/2021 11:11

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka postuar në rrjete sociale pamjet e operacionit nga ajri për fikjen e zjarreve më Karaburun të Vlorës.

Në pamjet në fjalë shihet se si helikopteri i ardhur nga Holanda mbush kovën me ujë në det.

Forcat e Ushtrisë dhe helikopteri po punojnë për të shuar një vatër të re zjarri që ka rrezikuar Gjirin e Gramës pas mesnate dhe një vatër të rindezur mbi fshatin Dukat.

Ndërkohë, në një prononcim ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ndodhet në terren bashkë me prefektin e Vlorës, theksoi se ka pasur një riaktivizim të zjarrit në malin e Dukatit, që dyshohet se ka qenë e qëllimshme, si dhe një vatër e re në Gjirin e Gramës.

“Kemi pasur një qetësim e shuarje të zjarreve në Karaburun, gjatë mesnatës ka pasur vatër të re në gjirin e Gramës ose një riaktivizim ose një rindezje mbi Dukat. E kishim fikur atë vatër para disa ditësh, tani po punojmë sepse mëngjesin sotëm është gdhirë e rindezur. Kemi dyshime të forta për zjarrvënie të qëllimshme. Do e vijojmë deri në fund betejën tonë”, tha Peleshi.

Postimi i plotë i Kryeministrit:

Situata e zjarreve në vend.

Prej orëve të para të mëngjesit është intensifikuar puna për shuarjen e zjarreve në vatrat aktive të mbetura në të gjithë territorin e vendit.

Zjarri në Gadishullin e Karaburunit, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë është eleminuar në pjesën më të madhe të vatrave, por është riaktivizuar një vatër intensive në malin e Dukatit, e cila ishte e shuar pak ditë më parë.

Sot në mbështetje të forcave tona operacionale është edhe një helikopter i ardhur nga Holanda.
Gjatë natës ka patur një vatër të re në Gjirin e Gramës, ku gjithashtu po punohet për shuarjen e flakëve me forca të shtuara.

Zjarri pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, bashkia Finiq ka rënë në një terren të vështirë, por po mbahet nën kontroll për të shmangur rrezikun e banesave.

Një zjarr i rënë në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier ka angazhuar forcat operacionale prej orësh, të cilët po punojnë për ta mbajtur nën kontroll. Në mbështetje të tyre ka shkuar edhe helikopteri i ardhur nga Çekia.

Zjarri në Majën e Rrunës, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës, aktualisht po mbahet nën kontroll, për të mos e lënë të përhapet në zona të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë forcat nuk mund të ndërhyjnë dot në të gjithë zonën.

Zjarri pranë luginës së Valbonës, fshati Klysyrë, njësia administrative Margegaj, bashkia Tropojë nuk ka përhapje dhe aktualisht është tërësisht i kontrollueshëm e me intensitet të ulët.

Zjarri është nën kontroll edhe në fshatin Vermosh, njësia administrative Kelmend, bashkia Malësi e Madhe.

Puna e forcave të emergjencave civile po vijon për të mbajtur nën kontroll flakët edhe në vatrat e hapura në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë si dhe në fshatin Munellë-Domgjon, po në këtë bashki.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA