Zjarri në dy fshatra të Korçës, policia: Ka rënë aksidentalisht nga shkëndija elektrike

06/08/2021 10:14

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës për vepra të ndryshme penale, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht.

Ndërkohë, forcat blu bëjnë me dije se ditën e djeshme, në afërsi të fshatrave Vithkuq dhe Biranj, Korçë, ka rënë zjarr në disa sipërfaqe pyjore. Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se zjarri mund të ketë rënë aksidentalisht nga një shkëndijë elektrike në rrjetin e tensionit që kalon mbi këto sipërfaqe kullote.

Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

L.B., 61 vjeç, banues në Bilisht, pasi pranë fshatit Bitinckë, ky shtetas u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin traktor tip “Ford”, pa targa.

K.P., 33 vjeç, banues në Korçë, pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Drenovës” në rrugën Korçë-Ersekë, ky shtetas u kap duke drejtuar mjetin tip ATP “Benz”, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal për shtetasin S. B., 30 vjeç, banues në Pogradec,  pasi në lagjen nr. 2, Pogradec, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një aparat celular, të cilin dyshohet se e përdorte për vendosjen e lotarive të palejuara.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.

Top Channel