3 helikopterë, nga Holanda dhe Çekia, kanë mbërritur sot në aeroportin e Rinasit për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në territorin e Shqipërisë.

Mjetet u pritën në aeroportin “Nënë Tereza” nga zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, Drejtori I Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako, përfaqësues të ambasadave përkatëse, Shefi politik i delegacionit të BE-së në Tiranë, Alexis Hupin.
Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako shprehu mirënjohjen për përgjigjen në kohë të shpejtë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane, duke vënë në dukje se situate ka qenë e rënduar veçanërisht në gadishullin e Karaburunit, pikërisht në kufi me Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Shefi politik i delegacionit të BE, Alexis Hupin tha se ndihma që vjen nga Bashkimi Europian është shenjë e solidaritetit evropian. “Kjo është një shprehje e solidaritet të Bashkimit Evropian dhe duam t’i qëndrojmë në krah të Shqipërisë në këto momente. Jemi këtu për të mbrojtur jetët e njerëzve që po preken nga këto zjarre dhe gjithashtu bukuritë e natyrës shqiptare. Nesër fillon puna me helikopterin”, u shpreh z.Hupin.
Nga Çekia mbërriti helikopteri i parë, nga 3 që pritet t’i bashkohen flotës së ndihmës për shuarjen e flakëve. Bashkë me helikopterët, pjesë e ndihmës janë edhe mbi 50 forca ushtarake të specializuara në fushën e emergjencave civile, të cilët do t’i bashkohen efektivëve shqiptarë që prej ditësh janë në përpjekje të pandërprera për shuarjen e flakëve në disa zona të Shqipërisë. Bashkimi Evropian aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për t’u ardhur në ndihmë disa prej shteteve më të prekura nga zjarret si: Shqipëria, Italia, Greqia e Maqedonia e Veriut.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel