Vatër zjarri pranë zonës së mbrojtur “Lugina e Valbonës”, flakët po përhapen në sipërfaqen pyjore

06/08/2021 15:35

Një vatër zjarri është aktivizuar në territorin e Bashkisë së Tropojës në zonën e mbrojtur “Lugina e Valbonës”.

Zjarri po përhapet në sipërfaqen pyjore në vendin e quajtur maja e Fazlisë, sipër fshatit Klysyrë.

Ndërkohë 163 zjarre janë fikur në të gjithë vendin por aktive mbeten 10 të tilla, së fundi edhe një në mashkullore të Gjirokastrës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes është vënë nën kontroll edhe Gadishulli i Karaburunit që nuk paraqet rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Në Kukës në majën e Runës gjithashtu flakët po mbahen nën kontroll nga ajri dhe toka. Flakët janë në drejtim të fshatit Shemri, por pa rrezik pasi është në distancë të largët.

Në Mirditë – Dy vatra zjarri ndodhen përkatësisht në fshatin Thirrë dhe Munellë. Situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik.

Në Vermosh – Në Malësinë e Madhe zjarri po mbahet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

Tropojë – Është bërë i mundur izolimi i flakëve në Betosh dhe Shëngjergj.

Shkodër – Një tjetër vatër në Theth është izoluar dhe po monitorohet. Nuk paraqet rrezik.

Zjarri në fshatin Cukal është drejt shuarjes përfundimtare.

Top Channel