Një 38-vjeçar, i identifikuar si Anteo Guci është arrestuar nga policia pasi shpërndante lëndë narkotike kokainë në doza në zona të ndryshme të Tiranës.

Ai është kapur në flagrancë duke qarkulluar me automjet, nga kontrollit i të cilit u gjet një sasi dozash me lëndë narkotike kokainë, të cilat ia shiste përdoruesve të ndryshëm, në zonën e Yzberishtit, Pallateve Çabej dhe Astirit, kundrejt vlerës 3500 deri në 7000 lekë të rinj për dozë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri, municion luftarak, ndezës detonatorë për granata, 2 karta identifikimi policie të dyshuara të falsifikuara, 2 peshore elektronike, 1 automjet, 1 motomjet dhe një sasi lënde narkotike kokainë, të cilën ky shtetas e përgatiste në doza të vogla, gati për shitje në zonat e lartpërmendura.

Arrestimi i 38-vjeçarit u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Detonatori”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel