Monument në kujtim të eksodit, përurohet në Durrës në përvjetorin e ikjes me anijen Vlora

06/08/2021 15:20

Ishte 8 gusht i vitit 1991 kur Italia kuptoi se ishte shndërruar në tokën e premtuar për mijëra shqiptarë të etur për liri dhe një jetë më të mirë.

Në kuadër të 30-vjetorit të eksodit masiv të shqiptarëve me anijen “Vlora” nga Durrësi drejt portit italian të Barit, bashkitë e dy qyteteve kanë ndërmarrë një sërë aktivitetesh nga datat 5-8 gusht për të përkujtuar këtë ditë simbol që bashkoi përgjithmonë dy popujt. Buzë detit dhe pranë portit të Durrësit u përurua monumenti publik.

‘Sono Persone/ Janë njerëz’, ideuar nga artistja italiane Jasmine Pignatelli dhe frymëzuar nga fjalët proverbiale të kryetarit të bashkisë së asaj kohe në Bari, Enrico Dalfino, i cili hapi jo vetëm dyert e portit, por edhe të qytetit të Barit për mikpritjen dhe integrimin e mijëra emigrantëve shqiptarë. Pjesëmarrës në aktivitete, ambasadori italian në vendin tonë Fabrizio Bucci theksoi se ky është një moment historic për dy vendet ndërsa në këto 30 vite Shqipëria ka ndryshuar shumë.

“Ky është një moment historik jo vetëm për Shqipërinë, po dhe për Italinë. Zbarkimet e 30 viteve të kaluara shënjuan edhe historinë tonë, veçanërisht atë të Puljas dhe Barit. Një moment i vështirë për vendin ata dhe ai largim kishte një vlerë simbolike, pasi shqiptarët e shihnin si një pikë referimi drejt lirisë, demokracisë.”

Monumenti që ka formën e bashit të anijes dhe atë të një libri të hapur ku në alfabetin mors janë shkruar fjalët e shpresës dhe mikpritjes së kryebashkiakut barez, është një dhuratë dhe në simetri të plotë me binjakun e vet, që do të përurohet të dielën në shëtitoren bregdetare të Barit.

Aktivitetet “Nga lindja në Lindje/Deti na Bashkon” përfshinë dhe çeljen e një ekspozite fotografike në hollin e teatrit të Durrësit me pamje nga ditët e eksodit, si dhe mikpritja që puljezët i rezervuan shqiptarëve. Ndërkohë mbrëmja e 5 gushtit ofroi në Amfiteatër një shfaqen teatrale “La nave dolce” (Anija e ëmbël), bazuar në filmin dokumentar italian mbi eksodin shqiptar të viteve ’90. Për më shumë se një orë, aktori i ri Massimiliano di Corato mbajti peshë publikun e shfaqjes me regji dhe tekst nga Daniela Nicosia.

Top Channel