Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi ka deklaruar se zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në 17 tetor. Sakaq fushata parazgjedhore do të fillojë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Xhaferri tha se në asnjë mënyrë Kuvendi nuk duhet të keqpërdoret për qëllime të fushatës, ndërsa shtoi se nuk do të mbahen seanca, me përjashtim të rasteve urgjente.

“Në këtë mënyrë partive politike dhe kandidatëve të tyre do u mundësohet që t’i përkushtohen tërësisht fushatës zgjedhore dhe kërkesave të qytetarëve, njëherazi duke e evituar mundësinë që fushata të shpërngulet në sallën plenare të Kuvendit. Gjithsesi nuk e përjashtoj mundësinë për caktimin e seancës urgjente të Kuvendit në këto 10 ditë, nëse gjendja në shtet e imponon këtë”, thuhet ndër të tjera në fjalën e Xhaferrit.

Në zgjedhjet e ardhshme lokale, për herë të parë do të votohet me shenjat e gishtave. Kjo u konfirmua sot edhe një herë, pasi KSHZ refuzoi ankesën e njërës nga kompanitë që konkurruan për të furnizuar aparatet për skenimin e gishtave.

Pas kësaj, konfirmohet se kompania gjermane “Dermalog” do të furnizojë KSHZ-në me skanerët e gishtave. Në seancën e sotme, KSHZ i ka caktuar edhe çmimet për reklamim politik në media. Nga KSHZ thonë se çmimet i kanë vendosur pas shqyrtimit të çmimoreve të mediave për pesë vitet e fundit.

Top Channel