Kosova vijon të përballet me shpërthimin e zjarrit në zona të ndryshme, ndërsa situata më serioze është në Bjeshkët e Rugovës.

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një njoftimi për media thotë se me të gjithë mekanizmat e saj, prej shtatë ditësh po vijon të ballafaqohet me situatën e zjarreve të krijuara si pasojë e temperaturave të larta, ku aktualisht po përballet me zjarrin në Parkun Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna në Shtupeq të komunës së Pejës.

“Në këtë incident janë të angazhuara me kapacitete të plota të gjitha Institucionet përgjegjëse, të cilat po koordinohen nga Qendra Operative e MPB-së. Në shuarjen e zjarreve janë të angazhuara: Ekipet e Zjarrfikësve, Policia e Kosovës, pjesëtarët e FSK-së, Autoritetet e Parkut dhe Ndërmarrjet Publike. Po ashtu për ndihmë në shuarjen e zjarreve nga ajri është angazhuar edhe KFOR-i”, thuhet në njoftim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka vizituar disa vatra të zjarrit, në veçanti atë të Shtupeqit, për të parë nga afër zhvillimet në terren dhe për të ofruar mbështetje për forcat të cilat po merren me luftimin e zjarrit prej disa ditësh.

“Si rezultat i përkushtimit të drejtpërdrejtë në menaxhimin sa më të mirë të situatës së zjarreve në terren edhe anëtarët e kabinetit të MPB-së, kanë vizituar disa vatra zjarri si ato në Shtupeq, Mushtisht, Sallagrazhdë, si dhe në disa lokacione tjera”, vijon komunikata.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes që të mos jenë shkaktarë të ndezjeve të zjarreve.

Ndryshe, zjarrfikësit e Gjilanit kanë shuar zjarrin fushor në fshatin Pogragjë, i cili ishte përhapur në hapësirë prej 20 hektarësh.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i ka përgëzuar zjarrfikësit për angazhimin e jashtëzakonshëm, të cilët përkundër numrit të pamjaftueshëm po bëjnë maksimumin në shuarjen e zjarreve.

Top Channel