Situata e fundit e dëmtimeve të mëdha nga zjarret ka rikthyer në Shqipëri reagimin e publikut ndaj organeve ligjzbatuese për mosndëshkimin e autorëve të krimeve mjedisore, shkruan në një artikul DW.

Drejtues të bashkive por edhe të Zonave të Mbrojtura në rajonet e prekura nga zjarret kanë kërkuar hetime dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të zjarreve, por edhe forcë më të madhe ndëshkuese ndaj autorëve të krimeve të tjera mjedisore, ku sipas legjislacionit shqiptar përfshihen ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës, dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore dhe prerja e paligjshme e pyjeve.

Nuk mund të vazhdohet më kështu, duhen ndëshkime pasi zjarret në tre vatra dhe në të njëjtin moment flasin për një dorë të qëllimshme”, tha Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi pasi zjarret në këtë zonë shkaktuan humbjen e një jete njerëzore, lëndime të disa personave dhe dëmtime të mëdha në pyje, dru frutorë dhe kullota.

Deri tani policia ka kryer ndalimin e rreth 10 personave në disa qarqe si në Vlorë dhe Gjirokastër, në kuadër të hetimeve për autorësinë e zjarreve dhe pritet që procedimet të shkojnë në gjykatë.

Por shumica e këtyre veprave penale edhe gjatë viteve të shkuara, siç dëshmojnë të dhënat zyrtare, mbeten pak të ndëshkuara.

“Shkatërrimi i pronës me zjarr”, procedimet penale u ulën vitin e kaluar

Sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm “shkatërrimi i pronës me zjarr” përbënte për vitin 2020 rreth 41,24 % të rasteve të “shkatërrimit të pronës”, ndërkohë që për vitin 2019 ishte 40,46 %. Në vitin 2020, sipas raportit, vihet re tendenca në ulje me 7,47 % e numrit të procedimeve të regjistruara për “shkatërrimi i pronës me zjarr”, në krahasim me vitin 2019.

Nuk ka të dhëna për dënimet e autorëve të gjetur fajtorë për “shkatërrim të pronës me zjarr” nga grupi i autorëve “për shkatërrim të pronës “. Por për këtë grup veprash penale, ku hyn edhe “shkatërrimi pronës me eksploziv” për rreth 70 % të kërkesave të prokurorit për arrest, gjykata vendosi masë sigurimi me arrest në 66,67 % të rasteve.

Sipas Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2020 lidhur me masën e dënimit të kërkuar nga prokurori në gjykatë, në 69,64 % të të pandehurve të akuzuar për shkatërrim të pronës është kërkuar dënim me burg dhe në 30,36 % dënim me gjobë, ndërkohë që është kërkuar në 1 rast tërheqje aktesh dhe 11 çështje janë pushuar.

Mbi këto kërkesa Gjykata ka vendosur në 74,07 % të dënimeve, dënim me burg dhe në 25,93 % dënim me gjobë,ndërkohë që ka vendosur 7 pushim çështje, 1 kthim aktesh dhe 1 vendim pafajësie.

Lidhur me masën e dënimit prokurori ka kërkuar pezullimin e dënimit dhe vendosjen në provë në 66,67 % të të pandehurve, për 15,38 % të kërkesave rezulton për caktimin e dënimit në minimum dhe 17,95 % në marzhin mesatar të dënimit të parashikuar nga dispozita.

Ndërsa nga gjykata lidhur me masën e dënimit është vendosur aplikimi i pezullimit të dënimit dhe vendosja në provë për 70 % të të pandehurve, 12,5 % e vendimeve të gjykatës rezulton për caktimin e dënimit në minimum dhe 17,5 % në marzhin mesatar të dënimit të parashikuar nga ligji.

Sipas Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm për “shkatërrim të pronës” në vitin 2020 janë pezulluar 585 procedime që përbëjnë 51,23 % të procedimeve të regjistruara.

Krimet e tjera mjedisore: asnjë person nuk u dërgua në burg në vitin 2020

Sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm,veprat penale kundër mjedisit shënuan një rritje në vitin 2020 në Shqipëri, publikuar pak kohë më parë, por personat që u gjetën në shkelje, ose u dënuan me gjoba, ose përfituan duke konvertuar dënimin me burg me shërbimin e provës, që i lë ata jashtë qelive.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare në vitin 2020 pati një rritje prej 24,44 % të numrit të procedimeve për vepra penale kundër mjedisit në krahasim mevitin 2019 dhe u shënua një ulje prej 3,03 % e procedimeve të dërguara në gjykatë.

Një rritje prej 19,01 % në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 , sipas prokurorisë, pati edhe numri i të pandehurve për krimet mjedisore, por u shënua gjithashtu një ulje e numrit të të pandehurve të cilët u dërguan në gjykatë me 4,11 % përkundrejt vitit 2019. Në ulje gjatë vitit 2020 sipas të dhënave zyrtare është edhe numri i të dënuarve për krime mjedisore nga gjykata me 2,08 % krahasuar me vitin 2019.

Masat e dënimit, të kërkuar nga prokurori për krimet mjedisore, rezultojnë se në 53,19 % kanë qenë për dënimin me gjobë dhe 46,81 % për dënimin me burg. Por raporti i Prokurorisë së Pëgjithshme pohon se gjatë vitit 2020 për të gjithë të pandehurit është kërkuar aplikimi i pezullimit të dënimit dhe vendosja në provë.

Gjykata ka vendosur në 44,68 % të dënimeve dënimin me gjobë dhe në 55,32 dënimin me burg, ku të gjithë dënimet janë pezulluar dhe i pandehuri është vendosur në provë .

Për krimet mjedisore në vitin 2020 janë pezulluar 71 procedime që përbëjnë 21,45 % të procedimeve të regjistruara, tregues në ulje sipas Prokurorisë së Përgjithshme krahasuar me vitin 2019 ku procedimet e pezulluara përbënin 25,19 % të numrit të procedimeve të regjistruara.

Top Channel