“Ditët e pandëshkueshmërisë mbaruan!” Mesazhi i zv/ambasadorit amerikan para 27 hetuesve të rinj të Byrosë Kombëtare të Hetimit

06/08/2021 19:10

Ndonëse BKH nuk do t’i ndezë motorët me numrin e plotë prej 60 hetuesish, pritshmëritë ndaj tyre janë të larta. Duke i konsideruar më të mirët e më të mirëve, edhe zv.ambasadori amerikan Demian Smith u shfaq i drejtpërdrejtë në mesazhin ndaj të paprekshmeve dhe për ta thënë këtë shqip diplomati zgjodhi diplomimin e 27  hetuesve të BKH që i krahasoi me kapitullin e ri të drejtësisë efikase dhe të besueshme.

Pa e mbyllur ende javën e parë si zëvendës ambasador i SHBA neë Shqipëri Smith tha atë çfarë ndërkombëtarët përsërisin prej muajsh.

“Ditët e pandëshkueshmerisë së të pasurve dhe të fuqishmeve kanë mbaruar u tregoi hetuesve shqiptarë të BKH-  zv ambasadori Demian Smith, duke veçuar se kjo agjenci do tregojë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ligji  zbatohet njësoj për të gjithë.

Duke ju bashkuar tik takut që po bie kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri, diplomati i karrierës kujtoi se partnerët ndërkombëtarë mund të hedhin dritë mbi të këqijtë, por do të jetë SPAK – nënvizoi  Smith që do bëjë punën e vështirë  të hetimit dhe ndjekjes penale.

Byroja Kombëtare e hetimit drejtohet nga Aida Hajnaj e cila mbas një kohe të gjatë e vetme në detyrë kryeson një institucion, që  përfundimisht bëhet funksional dhe vendoset nën urdhrat e SPAK duke nisur nga kjo e hënë.

Diplomimi i 27 hetuesve dhe emërimi i tyre sjell automatikisht shpërndarjen e oficerëve të policisë gjyqësore që ishin nën varësi të krimeve të rënda dhe që provizorisht plotësuan boshllëkun e hetuesve të BKH.

Faza e dytë për të plotësuar BKH vijon me testet e poligrafit dhe të vettingut ndaj 75 kandidatëve të mbetur në garën për 33 vendet vakante.

Top Channel