Këto janë zjarret që kanë pushtuar ishullin italian të Sicilisë. E gjithë Italia është përfshirë nga zjarret prej disa javësh.
Disa nga rajonet qendrore dhe jugore kanë humbur dhjetëra-mijëra hektarë pyje. Në Sardenjë botanistët janë të alarmuar për shkatërrimin e biodiversitetit lokal si dhe për numrin e ullishtave që janë shkatërruar. Në Sicili zjarret arritën qytetin e Katanjës dhe rreth 150 vetë u desh të evakuohen nga deti. Edhe aeroporti i qytetit u mbyll për disa orë.
Arsyeja pse Italia po përballet me zjarre të shumta e ka burimin tek një kombinim i përgjegjësive politike, burokracisë për mbrojtjen e pyjeve dhe veprimeve kriminale dhe mafioze. Sipas Coldiretti, shoqatës më të madhe të fermerëve në Itali, të paktën 60% e zjarreve në Itali janë vënë me qëllim. Temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe mungesa në rezervat e ujit.
Sipas autoriteteve lokale rezervuarët në Sicili kanë rreth 78 milionë metra kub më pak ujë se vitin e kaluar, niveli më i ulët këtë dekadë. Për këtë arsye në janar 2021, qeveria siciliane ndau 20 milionë euro për fermerët për të përmirësuar kapacitetet e rezervuarëve të ujit. Sipas një raporti të vitit 2019 të Qendrës Kombëtare Italiane për Kërkime 70% e Sicilisë rrezikohet të shndërrohet në shkretëtirë. Në Italinë qendrore dhe jugore kjo shifër varion nga 30% në Sardenjë deri në mbi 50% në Pulia.
Top Channel