Moti i nxehtë në Evropën jugore, ushqyer nga erërat e forta të nxehta nga Afrika e Veriut, ka kontribuar në shpërthimin e zjarreve në rajonin e Mesdheut, përfshirë Italinë, Greqinë, Spanjën dhe Turqinë.
Zjarrfikësit janë shpërndarë në rajone të shumta të Italisë për të luftuar zjarret që kanë shkatërruar mijëra hektarë pyje.
Temperaturat e larta në jug të Italisë kanë bërë që zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë të lëshojnë alarmin në disa zona të vendit, si në Siçili. Zjarret kanë vazhduar të përhapen në ishull dhe në pjesë të tjera të Italisë prej disa ditësh, duke djegur me shpejtësi mijëra hektarë pyje.
Autoritetet kanë dislokuar mijëra zjarrfikës dhe avionë për shuarjen e zjarreve në shumë zona të Italisë, por për shkak të shtrirjes së gjerë të zjarreve, BE-ja u detyrua të dërgonte burime për t’i shuar ato.
Në Sardenjë, 20.000 hektarë pyje u shkatërruan, duke detyruar evakuuimin e qindra njerëzve. Zjarret dëmtuan tokën bujqësore, blegtorinë, bizneset dhe shtëpitë, ndërsa janë ngritur shqetësime për humbje të biodiversitetit të ishullit.
Christian Solinas, president i rajonit të Sardenjës, i quajti zjarret një “fatkeqësi të paparë”. Banorët folën për skena apokaliptike.
Në Siçili, zjarret janë përhapur deri në afërsi të qytetit jugor të Katanias, në bregun lindor të vendit. Edhe në këtë zonë, shumë banorë u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre dhe policia ndërhyri nga deti për të shpëtuar rreth 200 turistë të bllokuar në plazh për shkak të zjarreve dhe tymit të rëndë. Aeroporti Katanias u mbyll përkohësisht për shkak të tymit. Edhe rajoni i Abruzos u godit rëndë nga zjarret që gllabëruan një pyll me pisha në Peskara, në bregdetin Adriatik, duke bërë që një numër turistësh të kërkonin ndihmën mjekësore në spital për shkak të thithjes së sasive të mëdha të tymit.
Autoritetet thonë se shumë nga zjarret janë shkaktuar nga njeriu dhe ato tashmë kanë bërë një numër arrestimesh lidhur me këtë. Duke folur për mediet italiane, kryebashkiaku i Peskarës, Carlo Masci i quajti ngjarjet në rajonin e tij vërtet dramatike dhe tha se përgjegjësit do të marrin dënimin e merituar.
Kryebashkiaku Masci i përshkroi zjarret si një sulm në zemrën e qytetit, mushkërinë e gjelbër të Peskarës, traditën, historinë, dhe rrënjët e tij. Kryebashkiaku shtoi se kurrë nuk kishte parë një gjë të tillë dhe se njerëzit ishin praktikisht të rrethuar nga zjarret.
Ashtu si në pjesët e tjera të Italisë, Masci tha se është e pamundur të llogaritet ndikimi i zjarreve në mjedisin e Peskarës pasi e gjithë Zona e Mbrojtur e Danunzianës, pylli i madh me pisha i qytetit, u shkatërrua. Ai tha se ishte e dhimbshme të shihje të gjithë pasojat e zjarrit, pemët e djegura.
Top Channel