Situata e zjarreve/ Shefi i emergjencave civile në Shkodër: Është shuar vatra e rrezikshme në “Tepe”. Kërkesa për banorët e zonës

05/08/2021 11:49

Pëllumb Dani, shefi i emergjencave civile në prefekturën Shkodër ka treguar se si paraqitet situata e zjarreve në këtë qark. 

Dani bën me dije se ditën e djeshme ka qenë shumë i rrezikshëm zjarri në lagjen “Tepe” pasi ndodhej shumë pranë banesave dhe forcat zjarrfikëse e kishin të vështirë të ndërhynin për shkak të terrenit, por është bërë e munduar shuarja e flakëve.

Për këtë arsye, i kërkon qytetarëve që të mos vënë zjarre që rrezikojnë jetën e tyre dhe të strukturave reaguese. Ndërsa për vatrën e zjarrit në Cukal tha se po punohet intensivisht dhe sot për shuarjen e flakëve.

“Siç jeni në dijeni, kjo javë ka qenë shumë intensive sa i përket sipërfaqeve të vatrave të zjarrit të përhapura dhe në qarkun Shkodër. Në mediat dhe nga juve, dihet që vatrat e zjarrit në të gjithë Europën, Shqipërinë jemi përballuar dhe neve me vatrat e zjarrit në qarkun e Shkodrës.

Përsa i përket gjatë 24 orëve të fundit, ju informoj se në Bashkinë Shkodër, rreth orës 21:45 të datës 4 korrik kemi pasur një vatër zjarri shumë të vështirë dhe të rrezikshëm për banesat në lagjen Tepe. Janë angazhuar në këtë operacion rreth 4 mjete të MZSH-së Shkodër dhe rreth 12 forca të kësaj strukture, të cilat bënë të mundur shuarjen e zjarrit.

Në Bashkinë Malësi e Madhe kemi pasur gjatë ditës së djeshme kemi pasur vatra lokale zjarri dhe një djegie banese, ku me ndërhyrjen e zjarrfikësve bëmë të mundur parandalimin e djegies së mëtejshme dhe shuarjen e zjarrit.

Vatra zjarri shumë e vështirë ka qenë në Bashkinë Fushë-Arrëz. Kjo vatër është përhapur me datën 3 dhe ka vijuar deri në datën 4 dhe është shuar. Por në drekën e datës 4 është riaktivizuar dhe ka marrë përmasa të shpejta duke përfshirë rreth 30 hektarë të pyllit dhe në pamundësinë për të ndërhyrë me forca njerëzore, u bë e mundur kërkesa nëpërmjet prefektes me ndërhyrje nga ajri. Rreth 2 orë ka punuar helikopteri dhe e ka neutralizuar situatën. Sot kemi dërguar dhe 30 ushtarë të batalionit Vau Dejes që po punojnë dhe janë në neutralizim e sipër të sipërfaqes së zjarrit.

Në Vau Dejes, një vatër zjarri është aktivizuar në Cukal që po punohet intensivisht dhe sot. Të gjitha zjarrit janë mirëmenaxhuar të të gjitha bashkive që kanë punuar pa u lodhur dhe kemi një mirënjohje të veçantë.

Kërkojmë të sensibilizojmë komunitetin që të mos krijojnë zjarre të qëllimshme pasi edhe ndërhyrja në zonat malore rrezikon strukturat reaguese dhe komunitetin”, tha Dani.

Top Channel