Nis zyrtarisht auditi i KLSh/ Kontroll institucioneve të emergjencave në lidhje me situatën e zjarreve

05/08/2021 01:49

Kontrolli i Lartë i shtetit nisi zyrtarisht auditin në të gjitha institucionet që janë pjesë e emergjencave. Kontrolli ka nisur në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile si dhe hallka të tjera të Ministrisë së Brendshme që lidhet me emergjencat civile, në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe ato të pushtetit vendor.

Sipas burimeve, me urdhër të kryetarit të KLSH-së , Arben Shehu do të auditohen të gjitha tenderimet e viteve të fundit për blerjen e pajisjeve të emergjencave. Ky kontroll nisi pas zjarreve të fundit ku pati akuza të shumta se punonjësve u mungonin pajisjet bazë.

Nisja e këtij kontrolli pati një bllokim nga ana e strukturës së emergjencave qendrore civile pasi drejtori Haki Cako ishte me pushime disa ditë më parë, duke shkaktuar dhe një reagim nga kreu i KLSH-së Arben Shehu i cili i bëri thirrje për rikthim në punë. Pas rikthimit të tij në detyrë, një ditë më parë, ka nisur kontrolli edhe në këtë institucion.

Gjithashtu KLSH do të auditojë dhe verifikojë në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes si dhe pushtetin vendor, të gjitha pajisjet që janë në dispozicion për raste emergjencash si ajo që po përjeton aktualisht vendi.

Top Channel