Një bazë e përpunimit të drogave të forta u godit nga Policia e Durrësit e cila vuri në pranga dy persona, njëri prej të cilëve me precedentë të mëparshëm penalë.

Të rinjtë nga Durrësi, Klejton Xhaferri dhe Ergys Vogli, përkatësisht 32 dhe 33 vjeç, kishin marrë me qira një banesë në lagjen nr.8 të qytetit, të cilën e kishin përshtatur si “laborator” droge.

Informacionet për aktivitetin e paligjshëm të tyre çuan në organizimin e operacionit të koduar “Baza” dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, policia gjeti afro gjysmë kg heroinë (408 gram) dhe një sasi prej 11,5 gramësh kokainë. Të arrestuarit e përzienin dhe ndanin drogën në doza të vogla dhe më pas e shisnin për përdoruesit në qytetin e Durrësit dhe zonën e Plazhit.

Përveç drogës, peshoreve elektronike dhe një sasie parash në lekë dhe euro të siguruara nga shitja e drogës, policia gjeti në objekt edhe një pistoletë të tipit Berreta, si dhe municion luftarak, fishekë, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Me rritjen e fluksit të vizitorëve, gjatë sezonit turistik rritet edhe kërkesa për konsumim të lëndëve narkotike. Kësaj situate i përgjigjen edhe kontrollet e shtuara nga ana e policisë për forcimin e masave të sigurisë në qytet e bregdet dhe goditjen e elementëve kriminalë.

Top Channel