Flakët rrezikonin Parkun e Llogorasë/ Parandalohet katastrofa! Digjen banesa, bagëti e ullinj në Gjormë

05/08/2021 18:32

Katastrofa në zonën e lumit të Vlorës është parandaluar pasi kanë ndërhyrë trupat nga toka dhe ajri duke neutralizuar rrezikun e hyrjes drejt Parkut Kombëtar të Llogorasë dhe banesave aty pranë.

Era e fortë dhe me drejtim nga jugu ka bërë që situata e zjarrit në malin e Karaburunit  të përkeqësohet dhe konkretisht në pjesën mbi Gjirin e Gramës, duke bërë që flakët të shkonin në kufi me Llogoranë.

Pas ndërprerjes së aksionit nga forcat për shkak të tymit dhe erës, ata janë rikthyer edhe më fuqishëm duke bërë të mundur neutralizimin e vatrës.

Për neutralizimin e situatës kanë ndërhyrë 2 helikopterë, 2 zjarrfikëse dhe 40 ushtarë të Forcave të Armatosura, ndërsa tashmë në zonë po vepron vetëm një helikopter.

Falë ndërhyrjes nga helikopterët dhe trupat është neutralizuar momentalisht  rreziku i djegies së banesave të tjera.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bënë thirrje për largimin e banorëve pasi rrezikohej vërtetë jeta e tyre.

Në fshatin Gjormë janë djegur banesa, ullinj, bagëti e stalla me ushqim për bagëtitë.

Ndërkohë mbi fshatin Dukat i Ri janë aktive tri vatra zjarri dhe nëse nuk ndërhyhet do përhapen me shpejtësi.

Sipas ministrisë, janë bërë ndërhyrje të forcave zjarrfikëse në Vithkuq të Korçës, në Mallakastër, në Tarabosh të Shkodrës,  Qerem të Tropojës, Kalise të Kukësit,  Mavropull të Delvinë dhe në vende të tjera.

“Lajm i mirë – Parandalohet katastrofa në zonën e lumit të Vlorës, ndërhyrja masive e trupave nga toka dhe ajri ka neutralizuar rrezikun e jetës dhe banesave atje. Në mbështetje të operacionit nga toka, në Karaburun ka rifilluar edhe ndërhyrja nga ajri, ndonëse në kushte të vështira klimatike për fluturim. Ndërhyrje gjithashtu janë bërë edhe ne Vithkuq (Korçë) në Mallakastër, në Tarabosh, (Shkodër) Qerem,(Tropojë), Kalise (Kukës), Mavropull, (Delvinë) etj”, shkruan ministria.

FOTO GALERI
1/16

Top Channel