Zjarret në Greqi/ Ajri i Athinës është ndotur, në spitale do ketë fluks të njerëzve me probleme me frymëmarrjen

04/08/2021 13:57

Mbi 500 zjarrfikës gjatë gjithë natës luftuan me flakët në Greqi për të frenuar zjarre katastrofike me dëme të pallogaritshme.

Gazetari i Top Channel në Athinë, Artur Bibe ishte dje në zemër të flakëve duke rrezikuar edhe jetën gjatë raportimit. Në lidhjen live, gazetari tha se deri tani janë numëruar me dhjetëra biznese dhe banesa të djegura nga flakët, ndërsa ajri i Athinës është ndotur aq shumë sa mund të ketë fluks të njerëzve me probleme me frymëmarrjen në spitale.

“Ishte një ditë tragjike për të gjithë Greqinë, por sa i përket ekipit të Top Channel, por për fatin tonë të mirë mundëm të shpëtonim nga kjo tragjedi që mund të ndodhte. Tani jemi mirë. Së bashku me operatorin Ilia Poci inspektuam zonat e prekura. Është vënë nën kontroll zjarri, por situata është e rënduar. Janë më shumë se 500 zjarrfikës, janë qindra forca ndihmëse që e mbështesin të gjithë procedurën e fikjes së flakëve. Edhe vetë kryeministri ka qenë në zonë.

Deri tani janë numëruar me dhjetëra biznese dhe banesa të djegura. Ajo që është më e rëndë është dëmi ambiental, janë qindra hektarë pyje të virgjra që janë bërë hi dhe rrezikojnë të gjithë kryeqytetin sa i përket cështjes së frymëmarrjes. Deri tani, sipas institutit Gjeodinamik të Athinës, raportohen se ajri i Athinës është i ndotur, cka do të sjellë në spitale një fluks të njerëzve me probleme me frymëmarrjen”, tha Bibe.

Top Channel