Tentativa për kultivim të bimëve narkotike, procedohet kryeplaku i fshatit Brisë dhe inspektori mjedisit

04/08/2021 12:49
Foto ilustruese

Policia e Tropojës ka proceduar penalisht kryeplakun e fshatit Brisë dhe inspektorin për Pyjet dhe Mjedisin, për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.

Në njoftimin për media thuhet se procedimi i tyre ka ardhur si rezultat se në këtë fshat është evidentuar një rast i tentativës për kultivimin e bimëve narkotike, ndërsa ata akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

“Si rezultat i kontrolleve është evidentuar një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, në fshatin Brisë.

Në vijim të veprimeve hetimore u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit: N. K., me detyrë kryeplak i fshatit Brisë dhe A. Q., me detyrë inspektor për Pyjet dhe Mjedisin. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel