Shkodra rrezikon të mbetet pa transport urban, protestë për mosplotësimin e disa kushteve

04/08/2021 13:33

Transporti Urban Shkodër ka zhvilluar këtë të mërkurë një grevë të shërbimit urban në shenjë proteste gjatë gjithë ditës, për mos-plotësimin e disa kushteve. Administratori i këtij transporti, Melidion Dervishi, thotë se transporti urban është në vështirësi totale dhe Shkodra rrezikon të mbetet pa transport publik.

Sipas përfaqësuesve të këtij shërbimi janë bërë shumë shkresa ndaj institucioneve përgjegjëse, por deri tani nuk ka pasur asnjë zgjidhje.

Bashkia Shkodër është njoftuar përmes mediave lidhur me ndalimin e punës nga ana e operatorit, i cili është licensuar për ofrimin e transportit urban në Shkodër.

Bashkia Shkodër, bazuar në legjislacionin shqiptar ka hapur në vitin 2018 konkurrimin publik për të gjithë operatorët e interesuar, të cilët kanë aplikuar për shërbimin urban në qytet.

Shoqëria “Ergys 2010MS” shpk ka aplikuar sipas kritereve dhe kushteve të konkurrimit, ku disa nga ato kanë qenë itinerari, standarti i mjeteve që duhet të përdorin dhe tarifa e miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak.

Meqenëse firma ka aplikuar brenda kritereve duke pranuar itinerarin, ndalesat, kushtet teknike të mjeteve dhe tarifën e miratuar, Bashkia Shkodër ka vijuar me dhënien e licencës përkatëse për një periudhë 5 vjeçare.

Bashkia e Shkodrës kërkon nga operatori Shoqëria “Ergys 2010MS” shpk respektimin e kontratës, respektimin e licencës në bazë të ligjit. Në asnjë rast Bashkia Shkodër nuk mund të veprojë kundër ligjit.

Në kushtet kur ka një licencë me kritere të mirëpërcaktuara, Bashkia Shkodër dhe operatori Shoqëria “Ergys 2010MS” shpk janë të detyruar dhe kanë përgjegjësinë të zbatojnë kontratën. Lidhur me kërkesat e paraqitura nga operatori Shoqëria “Ergys 2010MS” shpk Bashkia Shkodër do të përcjellë dikasterit përkatës kërkesën për të vlerësuar rishikimin e normativave ligjore për subvencionin për grupet në nevojë, të cilat deri tani nuk janë të parashikuara me ligj .

Kjo do të shërbente për të rritur shërbimin për njerëzit në nevojë, duke ndihmuar kësisoj qeverisjen vendore por edhe operatorin Shoqëria “Ergys 2010MS” shpk.

Kujtojmë se subvencioni për grupet në nevojë nuk është miratuar me ligj, edhe pse Bashkia Shkodër ka bërë disa kërkesa të tilla gjatë gjithë këtyre viteve. Deri më sot Bashkia Shkodër në bazë të ligjit, ka dhënë subvencion për studentët, të cilët mund të aplikojnë për marrjen e subvencionit të biletës për transportin urban qytetas në Shkodër.

Bashkia Shkodër do të vazhdojë të zbatojë ligjet dhe kësisoj kërkon të bëhet nga të gjithë kjo gjë.

Top Channel