“Rama e Basha të rishikojnë listat”/ Porosia e ambasadores së SHBA Yuri Kim para nisjes së pushimeve

04/08/2021 15:13

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka publikuar një koment të saj në të cilin flet për zgjedhjet e fundit në Shqipëri duke thënë se nuk ishin të përsosura dhe ka një porosi për dy liderëve të pozitës dhe opozitës, Rama dhe Basha.

Ajo e cilëson të një rëndësie kritike rikthimin opozitës në parlament. Ndërkohë thotë se ODIHR, vërejti se zgjedhjet ishin të mira, por jo të përsosura dhe Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi që të punojnë me shumicën dhe opozitën për të trajtuar problemet e përsëritura në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë në standarde të larta.

Tridhjetë vjet pasi populli shqiptar – me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara – hodhi tej vargonjtë e diktaturës komuniste, Shqipëria ka arritur në një çast të ri mundësie historike. Presim me kënaqësi ta shohim parlamentin të rikthehet me pjesëmarrje të plotë në mënyrë që shqiptarët nga i gjithë spektri politik të jenë të përfaqësuar.

Nxisim udhëheqësit që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar. Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion si dhe udhëheqësi të vërtetë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë. Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre.

Po ashtu, do të kërkojë që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë. Për një kohë tepër të gjatë, korrupsioni është përdorur si armë nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë për të blerë politikanë, për të fituar kontrata, dhe për të ndërhyrë në proceset demokratike.

Zonja Kim përmend se gjatë takimeve me njerëzit në gjithë vendit, ata bashkohen në një pikë: iu ka ardhur në majë të hundës me metodat e vjetra; duan ndryshim të vërtetë; duan fundin e korrupsionit; duan një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin; duan që kriminelët të qëndrojnë jashtë qeverisjes dhe politikës; duan një vend që i josh të rinjtë të qëndrojnë për shkak të mundësive; duan një vend që ecën përpara, jo prapa. Është koha thotë zonja Kim që udhëheqësit të reflektojnë dhe të ndërmarrin veprime të guximshme. Është koha për udhëheqësit që të tregoni kush jeni dhe çfarë mendoni se meriton ky vend.

Është koha për të udhëhequr. Teksa bëjmë një pushim këtë verë, kolegët e mi dhe unë në ambasadën amerikane do të reflektojmë dhe planifikojmë për mënyrën më të mirë për të intensifikuar përpjekjet tona për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Shpresojmë që udhëheqësit e Shqipërisë – ata në pushtet dhe ata që shpresojnë të jenë në pushtet një ditë – po kështu do të reflektojnë dhe planifikojnë për të ardhmen, për një Shqipëri më demokratike, më të sigurt dhe më të begatë.

Top Channel