Ministria e Mbrojtjes ka dhënë përditësimet e fundit për situatën e zjarreve në vendin tonë. Sipas ministrisë vatra zjarri janë regjistruar në 6 qarqe.

Në disa fshatra terreni është i vështirë për të arritur forcat zjarrfikëse. Po ashtu në ndihmë të zjarrfikësve janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë si dhe banorë të zonave të prekura.

Më poshtë do gjeni përditësimin e fundit të bërë nga ministria e Mbrojtjes për secilin qark.

Qarku Vlorë
Vazhdon puna nga forcat operacionale për shuarjen e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit, ku janë angazhuar 319 forca të FA, 31 mjete, 4 autoambulanca, 21 punonjës të zjarrfikëses dhe njësisë së pushtetit vendir, si edhe 3 helikopterë. Në fshatin Delisuf të bashkisë Vlorë, vijon të jetë aktiv zjarri i rënë në sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Po punohet për izolimin e flakëve.

Qarku Shkodër
Zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës është izoluar në pjesën më të madhe të tij, por kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, të cilat po kontrollohen nga forcat në terren. Në qytetin Fushë Arrëz, bashkia Fushë Arrëz, vazhdon zjarri. Në ndihmë të forcave dhe mjeteve të të njësive Fushë-Arrëz dhe Pukë ka shkuar edhe një helikopter. Operacioni për shuarjen e zjarrit do të vijojë ditën e nesërme.
Një zjarr u raportua rreth orës 22:31, në lagjen Tepe të bashkisë Shkodër. Në vendngjarje kanë shkuar 2 mjete të MZSH Shkodër dhe 6 forca të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.

Qarku Dibër
Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Lukan , njësia administrative Selishtë, bashkia Dibër. Zjarri ka përparuar në një pjesë shkëmbore më pak të pyllëzuar. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe vullnetarë të zonës. Në Qafë Murrë, Njësia Administrative Selishtë, bashkia Dibër, vijon zjarri në sipërfaqe me pisha dhe shkurre.

Qarku Gjirokastër
Në fshatrat e Njësisë Administrative Antigone kanë vijuar të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë.
Në fshatrat e Njësisë Administrative Lunxhëri vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Qesorat, Dhoksat, Tranoshisht dhe Saraqinisht. Po vijon puna për të mbajtur nën kontroll situatën. Në këto vatra zjarri dhe në Parkun Arkeologjik të Antigonesë është punuar gjatë gjithë ditës edhe me një helicopter për shuarjen e flakëve.

Qarku Fier
Një zjarr ka rënë në një sipërfaqe me shkurre, pisha dhe ullishte në fshatin Gadurovë, Njësia Administrative Selishtë, në Mallakastër. Për shuarjen e tij janë angazhuar forcat zjarrfikëse, të bashkisë, të Policisë Bashkiake dhe forca vullnetare. Zjarri vijon të jetë aktiv për shkak të sipërfaqes së madhe të favorizuar nga era dhe terrenit të thyer malor.

Qarku Elbasan
Një tjetër zjarr ka rënë rreth orës 22:30 në fshatin Cerujë, bashkia Elbasan, në një sipërfaqe me shkurre. Për shuarjen e flakëve janë në terren forcat e shërbimit vendor të zjarrfikëses.

Top Channel