Parashikimi i motit/ Sinoptikani: Priten reshje të pakta në zonat veriore dhe në Vlorë e Gjirokastër, rriten temperaturat

04/08/2021 13:07

Sinoptikani Hakil Osmani ka zbuluar si do të jetë parashikimi i erës , shiut dhe temperaturave. Në një lidhje live për Top Channel, Osmani tha se ndryshimi i shpeshtë i drejtimit të erës shkakton problem për shuarjen e zjarreve.

“Vijon të mbetet problematik parametri i erës pasi në det të hapur, shkon me shpejtësi edhe mbi 50 km/h, por po ashtu edhe në tokë shpejtësia e erës është problematikë edhe jo vetëm shpejtësia e saj, por edhe ndryshueshmëria e shpeshtë e drejtimit sjell problematika sa i përket shuarjes së zjarreve”, tha Osmani.

Ndër të tjera tregoi se gjatë ditës së enjte dhe të premte pritet të ketë reshje të pakta shiu në zonat e veriut, por edhe në Vlorë e Gjirokastër ku zjarret po shkaktojnë më shumë dëme.

“Pritet të kemi reshje shiu të pakta, kryesisht të karakterit lokal në zonat veriore gjatë ditës së enjte, por e premtja sjell prezencë më të dukshme të reshjeve të pakta. Nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të izoluara edhe në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, por që do të jenë reshje me sasi shumë të pakët”, tha Osmani.

Sa i përket temperaturave që na presin në fillim të javës por dhe në muajin gusht, Osmani tha se pritet të mos i kalojnë 40 gradë celsius deri më 20 gusht.

“Kemi një rritje me 1-2 gradë celsius të vlerave termike gjatë ditës së nesërme duke rikthyer temperaturat deri në 41 gradë celsius. Për fat të mirë, e premtja sjell një rënie të vlerave termike në disa gradë duke bërë që maksimumet të zbresin në 35-36 gradë celsius. Kemi një rritje të lehtë të vlerave termike gjatë fundjavës. Por në mëngjes, në zonat malore pritet të zbresin në 15 gradë celsius nga 20-21 që janë tani. Ndërsa temperaturat pritet të mos i kalojnë 40 gradë celsius deri më 20 gusht”, tha Osmani.

Top Channel