Ligjvënësit republikanë: COVID-i doli nga laboratori

04/08/2021 06:58

Një raport nga ligjvënës republikanë thotë se “prova të shumëfishta” tregojnë se virusi që shkaktoi pandeminë e COVID-19 doli nga një objekt kërkimor kinez. Agjencitë amerikane të zbulimit nuk kanë dalë me këtë përfundim.

Raporti, i bërë publik të hënën, përmend gjithashtu “prova të shumta” se shkencëtarët e Institutit të Wuhanit për Virologjinë, me ndihmën e ekspertëve amerikanë dhe fondeve nga qeveria amerikane dhe ajo kineze, po punonin për të modifikuar koronaviruset për të infektuar njerëzit dhe se manipulime të tilla bëheshin fshehurazi.

Ligjvënësi Mike McCaul, republikani më i lartë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Brendshme, e bëri publik raportin. Në të bëhet thirrje për hetime dypartiake lidhur me origjinën e pandemisë që ka vrarë deri tani mbi 4.4 milionë vetë në shkallë globale. Kina ka hedhur poshtë akuzat se koronaviruse të modifikuara gjenetikisht kanë dalë nga laboratori dhe një prej tyre, i diktuar fillimisht në fund të 2019, ishte shkaktari i pandemisë. Pekini po ashtu hedh poshtë akuzat se ka pasur përpjekje për të mbuluar zanafillën e pandemisë.

Disa ekspertë kanë ngritur hipotezën se pandemia u shkaktua nga një virus i transmetuar nga kafshët tek njeriu në një treg peshku pranë laboratorit në Wuhan. “Besojmë se ka ardhur koha ta përjashtojmë plotësisht këtë teori se pandemia filloi në tregun e Wuhanit,” thuhet në raport. “Ne po ashtu besojmë se prova të shumta dëshmojnë se vurisi doli nga laboratori disa ditë para 12 shtatorit 2019.

Raporti citonte informcione të reja, apo të paraportuara më parë për probleme në protokollet e sigurisë, ndër to kërkesën e bërë në korrik 2019 për riparime të përgjithshme të sistemit për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, i cili kishte vetëm dy vjet në funksionim. Në prill, agjencitë amerikane të zbulimit thanë se dalin në mbështetje të konkluzioneve të shkencëtarëve se virusi nuk ishte krijuar në laborator dhe nuk ishte i modifikuar gjenetikisht.

Presidenti Joe Biden dha në maj urdhër që agjencitë amerikane të zbulimit të përshpejtojnë punën për të zbuluar origjinën e pandemisë dhe të raportojnë rezultatet brenda 90 ditësh. Një burim me njohuri mbi punën e agjencive të zbulimit tha se nuk është arritur ende një përfundim nëse virusi erdhi nga kafshët apo doli nga laboratori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA