Është paraqitur sot pranë Gjykatës së Rrethit gjyqësor Lushnje, Kastriot Hasalla, autori i vrasjes së kushëririt të tij Romeo Hasalla, 6 ditë më parë. Ngjarja ndodhi në fshatin Garunjas në një sipërfaqe toke ku të dyja palët pretendonin se kishin pronësinë.
Pranë Gjykatës ishin prezent dhe familjarët e Katrioti, babai, bashkëshortja, vëllai dhe djali i mitur 10 vjeçar. Vëllai i Kastriotit kishte ardhur për të takuar vëllain që kishte katër vjet pa e takuar dhe t’i kërkonte mëshirë Gjykatës për vëllain.
Jonus Hasalla u shpreh se ngjarja është e rëndë. Ai pohoi se i trembet një hakmarrje nga pala tjetër, por nuk nguroi të thotë që do të shkojë në shtëpinë e tyre për ngushëllim.
Në sallën e gjyqit përpara trupit gjykues, Kastriot Hasalla e ka pranuar autorësinë e ngjarjes të kryer në gjendje të rëndë psikologjike dhe kërkoi që djali, Mario Hasalla dhe vëllai i tij Afrim Hasalla të lirohen pasi nuk kanë marrë pjesë në vrasje, pohime të cilat i konfirmoi avokati i tij, Ilir Dervishi.
Në momentin e ngjarjes ishin prezentë Shuaip Hasalla së bashku me tre djemtë e tij Emiljanin, Laertin dhe Romeon, ndërsa Kastrioti ishte bashkë me të vëllain dhe djalin. Vajtja e tyre te toka ishte shkulja e ullinjve që familja e Shaipit kishte mbjellë në tokat që Kastrioti pretendonte se e kishte të vetën.
Sapo ka filluar t’i shkulë me zetor kanë qenë Romeo me vëllezërit e tij që janë përleshur me djalin e Kastriotit dhe vëllain. Të gjendur në këto kushte Kastrioti ka nxjerrë armën e gjahut të cilën e kishte në zetor dhe ka qëlluar në drejtim të Romeos, i cili humbi jetën, ndërsa babai dhe vëllezërit u plagosen lehtë.
Pas ngjarjes policia arrestoi vëllanë e Kastriotit dhe djalin, ndërsa vet Kastrioti u vetëdorezua tre ditë më pas. Në fund të seancës ndaj Hasallës u dha masa arrest me burg.
Top Channel