Zjarret nuk po i ndal askush/ Flakët nga Karaburuni po ecin me shpejtësi drejt parkut të Llogorasë

03/08/2021 15:01

Gjithë natën vijuan zjarret në Karaburun dhe sot në mëngjes në ditën e tetë, flakët po përparojnë me shpejtësi drejt Llogorasë dhe zonave të banuara në Dukat.

Banorët e kanë të pamundur të mbrohen të vetëm nga flakët. Ata kanë qëndruar gjitha natën në roje. Ndërkohë që era e fortë po e shtyn zjarrin më në jug drejt pyjeve me pisha në Llogora.

Nëse zjarri mbërrin atje, dëmi do të jetë i jashtëzakonshëm por edhe rruga nacionale bëhet e pakalueshme. Në ditën e tetë të katastrofës natyrore në Karaburun, ushtria ka ndihmuar me 500 forca emergjencat. Ushtarët janë të pajisur vetëm me nga një lopatë, por ndërhyrja e tyre është e rrezikshme sepse flakët ecin më shpejt se njerëzit.

Ndërkohë helikopteri që u përdor për të shuar flakët një ditë më parë, sot nuk është shfaqur ndërsa situata është shumë më e rëndë. Në ditën e tetë të shpërthimit të flakëve në zonë ka shkuar edhe shefi i emergjencave civile, Haki Çako.

Kontrolli i lartë i shtetit u pengua që të bënte kontroll pranë emergjencave me arsyetimin se drejtuesi ishte me pushime. Çako u pyet sot edhe për këtë konflikt.

Ndërkohë zjarre në pyje ka edhe në Cukal të Vaut të Dejës, si dhe në Lunxhëri në Gjirokastër.

Top Channel