Situata dramatike e zjarreve dje në Gjirokastër ka lënë pas hapësira të gjera të shkrumbuara në Lunxhëri ku u kërcënuan seriozisht edhe fshatrat Qestorat, Paleokastër ndërsa zjarri arriti shumë pranë zonës së fshatrave të sipërm të Lunxhërisë.

25 zjarrfikës u angazhuan për më tepër se 10 orë në shuarjen e flakëve dhe devijimin e tyre. Perimetri  i vatrave ishte jashtëzakonisht i madh sipas kreut të zjarrfikësve favorizuar edhe nga era dhe temperaturat mbi 40 gradë.

Zjarri dogji kullota, pemë frutore, vreshta dhe pjesë të një masivi me pisha.

Të tri zjarret që u bashkuan në një të vetëm me intensitet të lartë ishin të qëllimshëm dhe besohet se janë vendosur nga barinjtë. Ylli Muho nënkryetar i Bashkisë Gjirokastër tha në një deklaratë këtë mëngjes se Bashkia nuk do të rinovojë më kontratat  në ato kullota ku do të bjerë zjarr.

Policia arrestoi këtë mëngjes një zjarrvënës 59 vjeçar nga fshati Valare. Ai besohet se inicioi njërën nga vatrat aksidentale ndërsa po digjte një grumbull mbetjesh plastike.

Zjarrfikësit kanë bërë thirrje që banorët të identifikojnë dhe denoncojnë zjarrvënësit si dhe ti bashkohen forcave vullnetare të ngritura për të përballuar emergjencën e verës.

Top Channel