Pasditen e sotme vatrat e zjarrit janë aktivizuar edhe në Rugovë të Pejës, të cilat u janë afruar banesave.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka bërë thirrje që të mos vizitohet Shtupeq i Madh nga Qafa e Brodiqit derisa gjendja me vatrat e zjarrit të vihet nën kontroll.

Muhaxheri përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se gjendja me zjarret po monitorohet nga ekipet e zjarrëfiksve, FSK-së, Policia e Kosovës dhe me njësinë e helikopterëve të KFOR-it.

“Situata me zjarret në vend, ashtu siç po ndodh edhe në shtete të tjera të botës për shkak të temperaturave të larta po vazhdon. Gjendja me zjarret po monitorohet nga ekipet e zjarrëfiksve, FSK-së, Policia e Kosovës dhe me njësinë e helikopterëve të KFOR-it. Zjarri ende nuk është shuar tërësisht, prandaj lusim qytetarët mos ta frekuentojnë këtë zonë të Bjeshkëve të Rugovës (Shtupeq i Madh, nga Qafa e Brodiqit) përveç zyrtarët e institucioneve kompetente”, ka shkruar ai.

Policia ka bërë të ditur se ditëve të fundit kanë ndodhur shumë zjarre në vende të ndryshme, në veri të Kosovës dhe të gjitha u lokalizuan dhe janë vënë nën kontroll.

-“Pranë temperaturave të larta , dhe mbi 40 gradë , shkaku i zjarreve është edhe faktori njerëzor dhe pakujdesia dhe neglizhenca në shumë raste , dhe këto raste janë përcaktuar nga ana e inspektorëve kundër zjarrit në terren. Prandaj, ne paralajmërojmë qytetarët se zjarrvënia është vepër penale, dhe apelojmë qe t’i kushtohet vëmendja maksimale në fakte të cekura, dhe në këtë mënyrë te kontribuojnë në sigurinë e njerëzve, mbrojtjen e mjedisit si dhe ruajtjen e hapësirës ne te cilën jetojmë”, shkruhet në njoftim.

Top Channel