Policia e Kukësit ka vënë në pranga një 20-vjeçar, i cili është kapur në pikën kufitare Morinë duke transportuar emigrantë të paligjshëm drejt Kosovës, kundrejt fitimit.
“Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Kukës dhe DVKM Kukës, për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, në vijim të operacionit policor koduar “Morina”, specialistët për Hetimin e Trafiqeve në DVP Kukës arrestuan në flagrancë një tjetër shtetas, me iniciale: E. O., 20 vjeç, banues në fshatin Martanesh, Bulqizë”, njofton policia.
Ky shtetas u arrestua në flagrancë, pasi në vendin e quajtur ” Ura e Drinit të Zi”, është kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar kundrejt fitimit, me automjetin tip “Touareg”, shtetas të huaj, që të kalonin në mënyrë të paligjshme në drejtim të Kosovës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Touareg” dhe një telefon, ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel