“Një gabim kushton shumë”, drejtori i pyjeve flet për situatën e zjarreve në Vau të Dejës: Shumë e vështirë!

03/08/2021 17:43

Drejtori i pyjeve Vau i Dejës, Rrok Ftoni ka folur për situatën e zjarreve pasi është përfshirë nga flakët edhe maja e Cukalit.

Vijon beteja për shuarjen e vatrave të zjarrit në Njësinë Administrative Shllak pjesë e bashkisë Vau Dejes, ndërsa prej tre ditësh janë angazhuar 15 punonjës nga drejtoria e pyjores si dhe 6 zjarrëfikës dhe disa banorë të zonës.

Ftoni tha se vatra e vetme që po mbahet nën kontroll është zjarri që është përhapur nga Cukali dhe po shkon në drejtim të Vaut të Dejës.

“Situata e zjarreve është shumë e vështirë. Jemi në terren me të gjithë punonjësit e pyjeve dhe zjarrfikësit e Bashkisë Vau i Dejës. Një gabim kushton shumë. Këto janë gabime njerëzore, jo të Zotit dhe thirrja jonë ka qenë gjithmonë “Kujdes me zjarret.” Besoj me punën e punonjësve të Bashkisë Vau i Dejës kemi arritur ta neutralizojmë dhe kjo është e vetmja vatër që po mundohemi ta vëmë nën kontroll”, tha Ftoni.

Top Channel