Aleanca e NATO-s dënoi të martën (3 gusht) sulmin vdekjeprurës të javës së kaluar ndaj një cisterne të operuar nga Izraeli në Gjirin e Omanit.

NATO-ja i bëri thirrje Iranit të respektojë rregullat ndërkombëtare të transportit.

Edhe Bashkimi Evropian dënoi sulmin duke e quajtur si “të papranueshëm”.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Izraeli thonë se Irani e kreu sulmin ndaj cisternës MV Mercer Street, duke vrarë një roje britanike të sigurisë dhe një anëtar të ekuipazhit me përkatësi rumune.

Irani ka mohuar përfshirjen në incident.

Presidenti i ri i këtij vendi, Ebrahim Raisi, një ultra-konservator, ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo veprimi “nga armiqtë perëndimorë”.

Britania e Madhe dhe Rumania janë aleate të NATO-s. Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se do të ndërmarrin një “përgjigje kolektive” ndaj incidentit. Komentet janë bërë të hënën (2 gusht) nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Liria e lundrimit është jetike për të gjithë aleatët e NATO -s dhe duhet të garantohet në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i NATO -s Dylan White.

Zëdhënësja e BE -së për çështjet e jashtme, Nabila Massrali, u tha gazetarëve se “rrethanat e sakta të këtij sulmi duhet të sqarohen”, duke shtuar se BE-ja i merr parasysh hetimet e kryera nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Izraeli.

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett akuzoi Teheranin se në mënyrë “frikacake” po e mohon përgjegjësinë, ndërsa ministri i Jashtëm tha se sulmi meriton një përgjigje të ashpër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA