Një automjet me 14.3 kg lëndë narkotike kokainë është kapur në Muriqan ndërsa është arrestuar drejtuesi i mjetit me të cilin po transportohej droga.
Në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Perëndimi”, strukturat hetimore të DVP Shkodër në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare Shkodër ndaluan automjetin për ta shoqëruar më pas në Portin e Durrësit, njofton policia.
Atje u kontrollua nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit të Durrësit, që veprojnë përherë në Port.
Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në automjet në pjesën e kroskotit ishin fshehur pako me lëndë të dyshuar si kokainë me peshë rreth 14.3 kilogramë.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi B. R., 42 vjeç, banues në Durrës, (drejtuesi i automjetit).
Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike.
Top Channel