Hipertiroidizmi është një çrregullim që nxit tiroiden të prodhojë sasi të tepërta hormonesh në organizëm. Tiroidja është një gjendër në formën e fluturës që prodhon hormonet e njohura si T3 dhe T4. Këto hormone rregullojnë përdorimin e energjisë në organizëm, ruajnë ekuilibrat e temperaturës dhe ndihmojnë funksionimin e organeve.
Falë simptomave që ka, hipertiroidizmi mund të ngatërrohet lehtë me probleme të tjera shëndetësore. Sipas të dhënave ndër simptomat më të përhapura të hipertiroidizmit janë :
Rënia e beftë nga pesha,
Oreks i shtuar,
Ankth dhe nervozizëm,
Luhatje humori,
Vështirësi në të fjetur,
Djersitje dhe rrahje të çrregullta të zemrës,
Lodhje, dridhje duarsh, dhe dobësim të muskujve,
Enjtje të qafës e të tjerë
Trajtimet Standarde Të Hipertiroidizmit
Nivelet e larta të hormoneve në trup mund të jenë toksike. Nëse sëmundja nuk kurohet, ajo mund të shkaktojë probleme me zemrën, humbje të dendësisë kockore, rrezik frakturash e të tjerë. Përveç medikamenteve që jepen me recetë nga mjeku, një njeri i prekur nga kjo sëmundje mund të konsumojë ushqime të caktuara në të mirë të shëndetit. Zakonisht, përpara nisjes së një trajtimi, rekomandohet të nisni një regjim ushqimor me pak jod.
Ushqimet E Përshtatshme Për Hipertiroidizmin
Jodi luan një rol thelbësor në prodhimin e hormoneve. Një regjim ushqimor me pak jod ul sasinë e hormoneve të prodhuara. Konsumoni kripën pa jod, kafenë pa qumësht, të bardhën e vezës, frutat, arrorët pa kripë, bukë pa kripë, kokoshka pa kripë, tërshërë, patate dhe mjaltë. Lakrat e vogla, lulelakra, barishtet e egra janë të mira sepse pengojnë tiroiden të shfrytëzojë jodin e të prodhojë hormone.
Vitaminat Dhe Mineralet Më Të Mira
Një person që vuan nga hipertiroidizmi duhet të marrë vitaminat dhe mineralet e duhura. Hekuri është një prej tyre sepse ndihmon në transportin e oksigjenit në organizëm. Hekurin e gjeni tek thjerrëzat, spinaqi, arrorët, mishi i kuq, i pulës dhe i gjelit, farat, fasulet, barishtet dhe drithërat. Seleniumi është një mineral tjetër që e mbron tiroiden. Ky mineral parandalon dëmtimin qelizor dhe e mban tiroiden të shëndetshme. Atë e gjeni tek farat chia, kërpudhat, mishi i qingjit, viçit, pulës dhe gjelit por edhe tek orizi dhe farat e lulediellit. Zinku është i nevojshëm pë renergjinë e trupit, imunitetin dhe tiroiden. Atë mund ta gjeni tek qiqrat, kakoja, mishi i viçit, qingjit, kërpudhat dhe farat e kungullit.
Hipertiroidizmi i dobëson kockat, dendësia e të cilave mund të rimëkëmbet me trajtimin e duhur me vitaminë D dhe kalçium. Ushqimet e pasura me vitaminën D dhe kalcium janë spinaqi, bamjet, lëngu i portokallit, mëlçia e viçit, peshku dhe kërpudhat. Yndyrnat janë gjithashtu të rëndësishme në regjimin ushqimor të përshtatshëm për një person që vuan nga hipertiroidizmi. Ndër yndyrnat më të shëndetshme, rekomandohet vajin e ullirit, avokadon, vajin e farave të linit. Sa i përket erëzave, ekspertët rekomandojnë specat djegës jeshilë dhe piperin e zi./AgroWeb
Top Channel