Afrimi i vitit shkollor dhe mungesa e infrastrukturës shkollore dhe gjendja e rrugës së fshatit është kthyer në një problem të madh për banorë të Kryevidhit në bashkinë e Rrogozhinës.

Ata janë të shqetësuar për fatin e fëmijëve të tyre që edhe këtë vit duhet të shkojnë në një fshat tjetër për të ndjekur shkollën.

“Shi, diell, kohë e mirë a e keqe fëmija është i detyruar të shkojë në shkollë, po nuk i ka kushtet. Shkolla qe u prish. Shkolla e Stërbegut është më e keqe se shkolla jonë. Gjasme do e bëjnë shkollën, po s’e kanë njëjtin me e bërë”.

“Kjo shkollë ka qenë dikur 3-katëshe dhe kur ra tërmeti e shembën për ta bërë sërish nga e para”.

Përveç mungesës së shkollës, banorët e lagjes Shalje në Kryevidh kanë dhe shqetësimin e rrugës së fshatit. Tejet e amortizuar ajo është kthyer në problem serioz për shëndetin dhe ekonomitë e tyre familjare.

“Një person vdiq e nuk arrita ta çoja në spital. Duhej gjysëm ore ta nxirrja nga kjo rrugë”.

“Kërkova ambulancën dhe më erdhi pas 2 orësh dhe qëndroi atje se nuk futej dot e më kërkoi të nxjerr atje të sëmurin”.

“Faleminderit që na kujtuat dhe i drejtohem atij që e ka në dorë me e rregullu rrugën sadopak se duam të jetojmë këtu në vendin tonë. T’i rrisim këtu fëmijët”.

Në këtë fshat banorët ndjehen plotësisht të braktisur nga pushteti vendor e qendror. Mungesës së investimeve në infrastrukturën shkollore dhe atë rrugore i shtohen dhe të tjera në shërbime publike, si mungesa e ndriçimit dhe e kazanëve për mbetjet urbane.

“Nuk e shikojnë më këtë popull. Sa marrin votat e ikin. Një copë rrugë, është turp”.

“Për ne të fshatit s’ve njeri dorë në zemër, po të vejnë për këta fëmijë që do shkojnë në shkollë”.

Top Channel