Vlora ‘e pushtuar’ nga zjarret, temperaturat e larta favorizojnë flakët/ Pamjet nga ndërhyrja e helikopterit në Karaburun

02/08/2021 13:49

Edhe pse po kryhet një punë mjaft intensive nga Forcat e Armatosura, forcat zjarrfikëse dhe Administrata Rajonale e Zonave te Mbrojtura, zjarret vijojnë të jenë aktive në Karaburun.

Në ndihmë ka ardhur edhe një helikopter i Forcave të Armatosura që po hedh ujë për shuarjen e zjarreve, por temperaturat e larta dhe era e fortë nuk favorizojnë aspak!

Ditën e djeshme u bë e mundur neutralizimi i zjarrit afër banesave te fshatit Dukat i Ri. Ndërkaq, vijon të jetë aktive vatra e zjarrit mbi fshatin Tragjas, por që fatmirësisht nuk rrezikon banesa vetëm shkurre dhe pemë. Po ashtu dhe në fshatin Kuç sipërfaqe të mëdha me shkurre vijojnë të digjen.

Më herët, në një lidhje live për edicionin e lajmeve në Top Channel ishte Kastriot Bega, drejtor i zjarrfikëseve ne bashkinë e Vlorës, i cili u shpreh se prej katër muajsh nuk bien shira në atë zonë dhe kjo e bën tepër të vështirë fikjen e zjarrit.

Zjarret janë rreth 2 ose 3 km, ndërsa zonat e banuara nuk janë të rrezikuara, sepse në shërbimin e tyre janë vendosur zjarrfikëset thotë Bega, duke shtuar më tej: “Duke pasur një mbështetje të fortë ajrore do t’ia arrijmë qëllimin e fikjes së zjarreve ne Karaburun”.

Top Channel