Problematika e mbetjeve ka marrë fund njëherë e mirë në Fier psi sot ka nisur transferimi i mbetjeve drejt inceneratorit të ri.

Një ditë pas përfundimit të betejës me flakët dhe tymin, mjetet kanë nisur punën për largimin e mbetjeve drejt inceneratorit, ku pritet të nisë edhe përpunimi i tyre.

Ditën e djeshme, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi deklaroi se kjo hapësirë do të gjelbërohet e në te do të mbillen pemë, për të larguar një herë e përgjithmonë nga kujtesa e fierakëve fushën e dikurshme të mbetjeve.

“Përfundimisht mund t’ju komunikoj se e gjithë fusha e mbetjeve prej 70-80 mijë metra katror është në kontroll të plot. Sot nuk ka as flakë, tymi është në kontroll të plotë. Puna vazhdon ende se është një proces që ka nisur. Për shkak të asaj që ndodhi, u shpejtua në kohë se e kemi planifikuar që ta mbyllnim këtë fushë nga fundi i muajit gusht, por ngjarja i shpejtoi gjërat. Sot kemi disa lajme të mira. Fusha nuk përbën më asnjë rrezik dhe nuk çliron asnjë tym të dëmshëm. Do të vijojmë me hedhjen e shtresave të dheut.

Ajo që është më e rëndësishme është se do të punojmë gjatë gjithë këtyre muajve për mbjelljen e pemëve. Sipas një llogarie, do të mbillen 5000-7000 pemëve në të gjithë këtë fushë dhe të kthehet një ambient kreativ. 

Këto ditë kemi qenë në bisedime intensive edhe me koncesionarin dhe ndoshta nesër pasdite të gjitha mbetjet që krijohen në Bashkinë e Fierit do të transferohen në incenerator. Ai do të vërë disa mjete në dispozicion derisa Bashkia të përfundojë procedurat që kemi nisur qoftë rruga, qoftë stacioni i transferimit të mbetjeve. Sipas kësaj marrëveshje, thjesht do të përgjigjemi për largimin e mbetjeve këtu, pastaj e gjithë pjesa tjetër i takon koncesionarit. Përfundimisht në të gjithë këtë zonë, nga nesër e tutje nuk do të depozitohet asnjë mbetje. Këtu kemi krijuar vetëm një stacion provizor dhe do të shkojë në drejtim të inceneratorit. Këtu mbetjet mund të rrinë shumë pak minuta.

Këto janë disa momente ku aktor dhe faktor politikë mundohen ti shfrytëzojnë, edhe për të krijuar një lloj paniku apo frike tek shumë njerëz, edhe për t’i zmadhuar gjërat. E vetmja zgjidhje që kjo histori të marrë fund është çfarë kemi thënë, këto lloj fushash kanë prodhuar histori të tilla dhe nëse i mbajmë, histori të tilla do të bëjnë”, tha Subashi ditën e djeshme.

Top Channel