Emergjencave iu shkurtuan fondet, për zjarrfikësit nuk ka investime të reja për mjete nga toka dhe ajri

02/08/2021 15:00
Ilustruese

Tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës si dhe zjarri që përfshiu magazinën në një qendër tregtare në kryeqytet dëshmuan qartë dobësitë e Sistemit Kombëtar të Mbrojtjes Civile në menaxhimin e situatave të fatkeqësive natyrore.

Së fundmi, vatrat e zjarrit që kanë përfshirë vendin po dëshmojnë edhe një herë se me gjithë përpjekjet, situata në këtë drejtim është ende problematike.

Mangësitë në funksionimin e strukturave të emergjencave civile janë konstatuar edhe nga vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili në auditimin e kryer vitin e kaluar evidentoi se Agjencia e Mbrojtjes Civile nuk ka një plan kombëtar të përditësuar të emergjencave civile.

Emergjenca Civile thuhet në raport vuajnë nga koordinimi i dobët, mungesa e logjistikës, mangësitë në burimet njerëzore, e mbi të gjitha mungesa e fondeve e kapaciteteve për të ndërhyrë.

Me gjithë problematikat,  qeveria jo vetëm që nuk ka rritur fondet për këtë zë buxhetor, por madje në aktin e fundit normativ të buxhetit ka shkurtuar fondet për Emergjencat Civile në 996 milionë lekë, nga 1.11 miliardë lekë që ishin planifikuar në buxhetin fillestar.

Situata të tilla si ajo me zjarret në disa zona të vendit janë tashëm kronika të paralajmëruara në kushtet kur mungesa e investimeve në shërbimin zjarrfikës apo shërbime të tjera të strukturës së emergjencave civile janë të theksuara.

Prej 2019-ës kur vendi u godit nga tërmeti dhe u desh ndërhyrja nga për menaxhimin e situatës, buxheti për emergjencat civile ka parë një rritje të lehtë vit pas viti, por duket se e pamjaftueshme teksa situata të ngjashme përsëriten vit pas viti.

Top Channel