Durrës, vaksinime të hapura/ Në gjithë qarkun janë vaksinuar 89 mijë persona 

02/08/2021 19:46

Mjafton të kesh mbushur 18 vjeç dhe me një kartë identiteti mund të vaksinohesh në qendrën shëndetësore të vendbanimit ose në pikë më të afërt të vaksinimit gjatë këtij muaji dedikuar vaksinimit masiv të popullatës.

Në dy ditët e para të gushtit fluksi i personave që paraqiten për vaksinim nuk ka qenë i lartë, veçanërisht mes moshave të reja.

Aktualisht, në Durrës ka 11 raste aktive me Covid-19, ndërsa frika e përhapjes së variantit Delta në Evropë ka mbërritur dhe në qytetin bregdetar që në këtë sezon të nxehtë e disafishon popullsinë për shkak të turistëve dhe emigrantëve që kthehen për pushime në atdhe. Ndaj gushti është një mundësi e mirë për t’u vaksinuar dhe rritur imunitetin e tufës.

Djali: “Nëse pyet moshatarët e mi thonë që nuk është e nevojshme për moshën tonë. Unë them që është e domosdoshme dhe për ne. Të gjithë duhet të vaksinohen. Duhej bërë më parë, po tani që erdhi prapë mundësia më mirë.”

Mbi 89 mijë vaksinime janë kryer deri tani në Durrës, ku së fundmi ka raste të shtuara të personave që paraqesin simptoma të Covid-19, ndonëse nga kryerja e tamponit rezultojnë negativ. Në këtë situatë mjekët bëjnë thirrje për vaksinim dhe kujdes të shtuar.

Top Channel