U kap me 30 kg kanabis, gati për t’u trafikuar në Greqi/ Arrestohet 30-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar

01/08/2021 13:10
Ilustruese

Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është vënë në pranga në Gjermani me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

I riu i identifikuar me inicialet D.V., banues në Sarandë ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, në vitin 2019, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”.

Më datë 21.11.2018, Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër ka sekuestruar rreth 30 kg lëndë narkotike canabis sativa, sasi kjo e përgatitur për t’u trafikuar për në Greqi. Në këtë aktivitet kriminal rezulton i implikuar edhe shtetasi D.V, i cili në bashkëpunim me persona të tjera ka kryer veprime aktive për gjetjen e lëndës narkotike dhe përgatitjen për trafikimin drejt Greqisë.

Arrestimi i tij u bë falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës me homologët për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Top Channel