Riatdhesimi i 19 personave nga Siria/ Kreu i antiterrorit jep detaje për operacionin tjetër: 30 të tjerë ndodhen në kampin famëkeq, nuk janë bashkëpunues

01/08/2021 08:58

Kreu i Antiterrorit, Gledis Nano foli për operacionin e riatdhesimit të 5 grave dhe 14 fëmijëve nga kampi famëkeq në Siri drejt Shqipërisë.  Para mediave tha se ka vështirësi të mëdha për shkak se ISIS ka ende prezencë në terren dhe fëmijët e gratë nuk lejohen të riatdhesohen.

“Është punuar që në operacionin e kaluar, janë identifikuar persona në kampin Al hol dhe janë transferuar në kampin Roj, ku ka më tepër kushte për të jetuar. Kjo u realizua herën e kaluar dhe operacioni ka qenë në vijim pa asnjë ndërprerje që kur u nisëm për të kryer operacionin e dytë. Vështirësitë janë për shkak se ISIS ka ende prezencë në terren. Këta familjarë, fëmijë dhe gra nuk lejohen të riatdhesohen se duhet të qëndrojnë aty. Në kuptim të bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rajon, ka pasur lehtësira se marrëdhëniet janë më të ngushta”, tha Nano.

Sa i përket bashkëshortëve të grave që mbërritën sot në Shqipëri, Nano tha se një pjesë e tyre janë në burg, të tjerë të fshehur në terren ndërsa për të tjerë dyshohet të kenë vdekur në luftime.

“Po punojmë në atë drejtim dhe disa persona ndodhen në burg në Sirinë verilindore, një pjesë e tyre janë larguar dhe janë fshehur në terren ndërsa për një pjesë ka dyshime të kenë humbur jetën nga luftimet”, tha Nano.

Ndërsa për operacionin e radhës që paralajmëroi kryeministri Edi Rama, tha se janë rreth 30 persona të tjerë që pritet të riatdhesohen, pjesa më e madhe e të cilëve ndodhen në kampin Al Hol.

“Ne do të vazhdojmë punën tonë me të gjithë personat që rikthehen.  Sot 19 persona vijnë nga kampi Roj që më parë kanë qenë në Al-Hol. Janë rreth 30 persona të tjerë, pjesa më e madhe është në kampin Al-Hol dhe nuk janë aspak bashkëpunues”, tha Nano.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA