Për ta realizuar me sukses këtë operacion të tretë riatdhesimi të grave dhe fëmijëve shqiptarë nga Siri, u desh një punë parapërgatitore gati një vjeçare e shumë njerëzve. Bisedimet e drejtorit të sigurisë kombëtare të Libanit Gjeneralit Abaz Ibrahim me palën kurde, kontrolluese të kampeve, ishin vendimtare.
Bashkë me kryeministrin Edi Rama, pak përpara largimit nga Bejruti, gjenerali Ibrahim dha këto detaje për këtë operacion.
Gjenerali Ibrahim: Jam shumë Krenar për çfarë kemi bërë për të ndihmuar miqtë tanë shqiptarë. Sikurse jam krenar që Libani luan rrolin e vet. E gjitha kjo është një dhuratë për mikun tim kryeministrin Edi Rama sot në ditën e përvjetorit të humbjes së nënës së tij. Oficerët e mi kanë punuar shumë për këtë. Vështirësitë që u ndeshëm ishin të mëdha sidomos kur dërgova në Siri oficerët e mi të punonin atje në zonën kurde, shumë të rrezikshme. Ne luajtëm rolin tonë për të shpëtuar njerëz.
Ndërsa në Tiranë Ministria e Brendshme dhe ministri Bledi Çuçi koordinuan veprimet shumëpalëshe diplomatike dhe policore në terren.
Bledi Çuçi: Një premtim tashmë i mbajtur jam shumë i lehtësuar, kam qenë këto ditë në stres se si do të përfundonte ky operacion.
Marc Ghorayeb këshilltar jo rezident i kryeministrit Edi Rama në Lindjen e Mesme edhe njëherë tjetër tregoi se ishte forca udhëheqëse e palodhur në këtë kthim të 19 shqiptarëve nga Siria.
Marc Ghorayeb: Gjenerali Abas Ibrahim e mbajti fjalën për të përfunduar me sukses këtë mision. Në të njëjtën kohë faktorët madhor të përfshirë në operacion sa erdhën dhe u forcuan. Duke nisur nga gjenerali Abas Ibrahim, kryeministri Rama, ministri Bledi Cuci, drejtori antiterrorit shqiptar dhe gjenerali Shamon që çdo ditë ndiqte se çfarë veprimesh po ndërmerrnin Kurdët, duke u përfshitë në negociata të forta me faktorë aspak të lehtë. Njerëzit e sigurisë kombëtare libaneze bënë një punë të madhe.
Pa punën gjurmuese në kampet e Sirisë për të identifikuar shqiptarët, tetorin e shkuar drejtori antiterrorist Gledis Nano dhe kolegut Indrit Doda, bashkë me Marc Ghorayeb, ky operacion i tretë do të ishte i pamundur.
Muhamed Veliu: Zoti Nano a u shpërblye ajo punë 5 javore që ju patët ne tetor duke mbledhur informacion nga kampet e sirisë për këto gra e fëmijë të cilët sot bëhet e mundur të kthehen në atdhe.
Gledis Nano: Puna e drejtorisë së antiterrrorit dhe e stafit nuk ka ndaluar asnjëherë dhe është e vërtetë që ajo punë e palodhur u shpërblye me rezultatet që shikojmë sot.
Natyrshëm të gjithë protagonistët e dukshëm dhe ata të padukshëm të këtij operacioni human, janë të gëzuar por do të jetë të lehtësuar vetëm atëherë kur në kampet e ferrit mos të ketë mbetur asnjë shqiptar. Për ta sfida e re sapo ka nisur.
Gledis Nano: Jemi gati që sot.
Top Channel