“Është situatë ferri”, Rama zbulon vështirësitë e operacionit: Ka pasur rrezik edhe për jetën e personave të përfshirë

01/08/2021 08:43

5 gra dhe 14 fëmijë që jetonin prej vitesh në kampin famëkeq në Siri kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në Shqipëri, ku janë pritur nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Bledi Cuci.

Rama e ka cilësuar këtë operacion tepër të vështirë duke theksuar se ka pasur rrezik edhe për jetën e personave të përfshirë në operacion.

“Operacionet kësaj natyre janë të vështira se realizohen në një terren forcash që janë luftë me njëra tjetrën. Kampet nuk janë pushimi, as kampe shtetërore të sistemuara sipas një rregulli të caktuar, janë kampe lufte, kampe të sistemuara në gjysëm të provizuar dhe me autoritete që variojnë, në këtë drejtim puna që bëhet është e dyfishtë, është një punë me ata që administrojnë kampet dhe me personat e infiltruar qe mbledhin informacion. Brenda kampit ka dinamika nga më të ndryshmet, ka njerëz nuk shfaqen fare, ka njerëz që janë pengje të së tjerëve atyre brenda, është një situatë ferri.

Ashtu si e tha sot gjenerali ka pasur vërtet rrezik për jetën e peronave të përfshirë në operacion. Kjo është një punë e përditshme e përmuajshme, është një punë kërkimore, ne kemi çuar një numër të caktuar profilesh, prej fillimit kur kemi vënë kontaktet me ndihmën e konsullit tonë në Liban, por janë profile që disponojmë nga koha e mëparshme kur këta individë janë larguar drejt atij fronti aq famëkeq ku një pjesë kanë gjetur vdekjen, pjesa tjetër janë fëmijë gra, ish luftëtar, por ata gjenden në burgje. Është e paqartë sa është numri që kanë mbetur”, tha Rama.

Top Channel