Kastriot Hasalla, autori i vrasjes së 30-vjeçarit Romeo Hasalla në fshatin Garunjas të Lushnjes është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë së qytetit.
Ai ishte në kërkim nga policia prej dy ditësh, pasi në datën 29 korrik ekzekutoi me armë zjarri babain e dy fëmijëve dhe la të plagosur dy vëllezërit e tjerë të viktimës si dhe babain e tij.
Mësohet se Kastriot Hasalla është dorëzuar te autoritetet pas tratativave dhe me ndërmjetësimin e Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier Ferdinand Mara.
“Në vijim të punës intensive dhe kontrolleve të pandërprera që prej mëngjesit të datës 29.07.2021 deri ditën e sotme, në banesa dhe në zona ku dyshohej se mund të ishte fshehur autori i tretë i ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, u bë arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim, K. H., 49 vjeç, banues në Garunjas, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, njofton policia.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjte, 29 korrik. Ishte ora 6: 30 e mëngjesit, kur Shaip Hasalla, Emiliano Hasalla, Laert Hasalla dhe Romeo Hasalla janë konfliktuar me kushërinjtë e tyre Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla.
Prej disa vitesh, të dyja palët kanë qenë në një konflikt për një sipërfaqe toke, e cila së fundmi ishte mbjellë me ullinj nga familja e Shaip Hasallës.
Disa ditë më parë midis tyre ka patur një konflikt verbal, ndërsa mëngjesin e sotëm u përdoren edhe armët. Romeo Hasalla ka shkuar bashkë me vëllezërit dhe babanë për të frezuar tokën, por në këtë moment kushëriri i tyre, Kastriot Hasalla tentoi t’i ndalojë dhe qëlloi me armë gjahu.
Top Channel