Numri i vdekjeve të raportuara nga Covid 19 ka kaluar 4 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins që regjistron infektimet dhe vdekjet.

Në 100 vitet e kaluara, ka pasur epidemi të gripit dhe kolerës, epidemia e Sidës dhe sëmundje të tjera të shumta në të gjithë botën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson njofton se një studim i fundit tregon se shumë epidemi ose mund të ishin shmangur ose mund të frenohen.
Ndërsa disa vende përgatiten për një tjetër valë të koronavirusit, me më shumë shtrime në spital dhe vdekje, mjekët në vendet ku vaksinat janë lirshëm në dispozicion po u luten njerëzve që të vaksinohen.

Unë jam Dr. Michael Bolding. Kam punuar në njësinë tonë për COVID-in gjatë 16 muajve të fundit. Më pyesin çdo ditë tani se si duket njësia jonë”, thotë Dr. Michael Bolding, nga Qendra Rajonale Mjekësore e Washingtonit.

Dr. Bolding thotë se tani po sheh pacientë të pavaksinuar të sëmurë rëndë në të 20-tat dhe 30-tat.

… të shoqëruar nga simptoma përfundojnë në ventilator, oksigjen me rrjedhë të lartë dhe janë jashtëzakonisht të sëmurë … më të sëmurë se në çdo kohë gjatë kësaj pandemie”, thotë ai.

Me vaksinimin, sëmundja e rëndë dhe vdekja nga Covid 19 mund të shmangen.

Ne po bëjmë thirrje për një objektiv global 7-1-7. Dmth shtatë ditë për të zbuluar një vatër, një ditë për të njoftuar dhe shtatë ditë për të arritur një përgjigje efikase”, thotë Amanda McClelland, nga organizata “Resolve to Save Life” që punon për parandalimin e epidemive.

Zëri i Amerikës e intervistoi zonjën McClelland gjatë një takimi mbi Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Ajo thotë se është e mundur të parandalohen epidemitë dhe përmend Ugandën si shembull. Uganda ndaloi rishtazi një epidemi të Ebolës në kufirin e saj me Republikën Demokratike të Kongos.

Uganda iu përgjigj rrezikut. Mobilizoi komunitetet dhe sistemet shëndetësore për të forcuar mbikëqyrjen përgjatë kufirit dhe arriti të mbrojë të infektuarit… dhe të kujdeset për ta në mënyrë efikase. Pra, ata nuk patën një epidemi të Ebolas“, shprehet zonja McClelland.

Në fakt, një studim i publikuar në muajin prill nga organizata “Resolve to Save Lives”, i titulluar “Epidemitë që nuk ndodhën”, përfshiu shembuj të shumtë të situatave ku vendet shmangën ose ndalën epidemitë.

Shembuj të tjerë janë për shembull Nigeria, e cila në vitin 2014 ndali një epidemi të Ebola-s, si dhe Brazili që në vitin 2016 parandaloi përhapjen e një epidemie të etheve të verdha. Në të dy rastet, zyrtarët e shëndetësisë reaguan me veprime të koordinuara, komunikim efikas dhe udhëheqje të përkushtuar.

Zonja McClelland thotë se çelësi janë aftësitë e mira drejtuese dhe ndërtimi i besimit në komunitet.

“Nuk mund të vini vetëm kur ndodh diçka e keqe. Duhet të jeni aty gjatë gjithë kohës. Duhet të takoheni me komunitetet aty ku ndodhen dhe të merreni me nevojat e tyre të përditshme shëndetësore, dhe kjo krijon besim“, thotë zonja McClelland.

Zonja McClelland thotë se besimi, gazetaria e mirë dhe një shoqëri e fortë civile ndihmojnë komunitetet të refuzojnë disinformimin dhe politizimin e sëmundjeve, vaksinave dhe trajtimin shëndetësor./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA