Një tjetër rast ka tronditur opinionin publik grek. Këtë herë në Janinë, një 69-vjeçare u gjet e vdekur brenda një bodrumi në shtëpinë e saj nga Policia.
Ishin fqinjët ata që dhanë alarmin për zhdukjen e të moshuarës, kur e kuptuan se prej ditësh ajo nuk ishte dukur. Me të vajtur në banesën e saj policia kontrolloi shtëpinë dhe sikurse raportojnë mediet greke trupi i saj u gjet i mbyllur në bodrum.
Për këtë rast në prangat e policisë ka rënë nipi i saj 55-vjeçar. Policia njofton se burri është arrestuar pasi në shtëpinë ku jetonte bashkë me tezen e tij janë gjetur 34 pilula pa recetë.
Ndaj 55-vjeçarit tashmë rëndon akuza e vrasjes me dashje. Sipas policisë, e moshuara kishte ndërruar jetë në dhjetëditëshin e dytë të majit nga shkaqe patologjike dhe duke dashur që të vazhdonte të merrte pensionin e saj, 55-vjeçari e fshehu trupin e saj në bodrum.
Sipas informacioneve, nipi i saj e kishte vendosur trupin në bodrum dhe derën pasi e kishte mbyllur, e kishte vulosur me ngjitës që përdoret për pllaka me qëllim që të mos lejonte daljen e erës së keqe.
Së fundmi, Nën Drejtoria e Sigurisë në Janinë, e cila kreu hetimin paraprak, ka urdhëruar një ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa personi i arrestuar do të dërgohet në Prokurorinë Publike të Janinës.
Top Channel