6 persona janë vënë nën prangat e policisë, gjatë 24 orëve të fundit, si të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
21-vjeçari me iniciale A.S. u kap nga polica, pasi është dënuar me burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
28-vjeçari me iniciale R.G. u arrestua, pasi dyshohet se ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht gruan. Edhe ndaj 22-vjeçarit me iniciale R.D. rëndon e njëjta akuzë.
35-vjeçari me iniciale Xh.A sulmoi një vajzë në Rrugën e Elbasanit, në përpjekje për t’i vjedhur unazën. Policia njofton se ky shtetas ka qenë i dënuar më parë për tregti lëndësh narkotike.
26-vjeçari me iniciale Rr.J u arrestua, pasi u kap me një armë të ftohtë të llojit dorezë metalike, në Rrugën e Kavajës.
Ndërkohë, policia rrugore njofton se ka arrestuar 31-vjeçarin me iniciale A.A, pasi po drejtonte motorrin në gjendje të dehur.
Njoftim i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë ekzekutimin e vendimit për shtetasin A. S., 21 vjeç( i kapur nga seksioni i kërkimit) pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
R. G., 28 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij;
Xh. A., 35 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, sepse në Rrugën e Elbasanit ka tentuar të vjedhë unazën, shtetases M. B.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Rr. J., 26 vjeç, pasi në Rrugën e Kavajës, gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet e iu sekuestrua një dorezë metalike (përforcues grushti).
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. D., 22 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin e shtetasit A. A., 31 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin motorr në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel