5 gra e 14 fëmijë shpëtohen nga kampet e Sirisë, Çuçi: Vijojmë përpjekjet për t’i nxjerrë të gjithë shqiptarët që po përjetojnë atë tmerr

31/07/2021 18:56

Qeveria shqiptare përmbylli me sukses operacionin e tretë humanitar për kthimin në atdhe të 5 grave dhe 14 fëmijëve nga kampet Al Hol dhe Roj të Sirisë.

Në një intervistë në Bejrut për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, ministri Bledi Çuçi tha se ishte një operacion i vështirë, por i suksesshëm.

Ai theksoi se do të vijohet puna për të nxjerrë të gjithë shqiptarët nga vendi ku po përjetojnë tmerre.

Si u bë i mundur organizimi i këtij operacioni të tretë?

“Është një përpjekje e gjatë që ka nisur që në operacionin e fundit, ku punonjësit e policisë gjej rastin ti përgëzoj, sidomos departamentin e Antiterrorit të kryesuar nga Gledis Nano bënë intervista dhe identifikuan brenda kampit gra dhe fëmijë shqiptarë.

Ishin përpjekje disa mujore me autoritetet kurde që administrojnë atë kamp, atë terren ku luhet një tragjedi njerëzore. Pa diskutim me koordinimin e konsullit tonë, Markut dhe të gjithë përpjekjen e bërë nga struktura e sigurisë në Bejrut arritëm që më në fund të vendosim për ditën që do t’i merrnim se problemet fillojnë që nga momenti i marrjes, leja nga autoritete kurde, koordinimi me shtetin sirian,  transporti dhe ja ku jemi sot, mund të konsiderohet akoma i papërfunduar pasi përfundon kur të ulemi bashkë në Shqipëri, po ja që jemi bashkë pas përpjekjes disa mujore.

 Është një përpjekje disa mujore që na ka çuar në një rezultat mbresëlënës. Edhe duke parë aksionet,veprimet që kanë marrë persona të ndryshëm për qytetarët në ato kampe,besoj se është një nga përpjekjet më të suksesshme. I joni është i treti dhe padyshim më i suksesshmi. Do të vijojmë me përpjekjet për të marrë të gjitha gratë dhe fëmijët shqiptarë që po i përjetojmë atë tmerr në ato kampe në Siri” tha Cuçi.

Top Channel