Seanca gjyqësore e 9 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, të përfshirë në skandalin e tenderit të uniformave, po mbahet ditën e sotme.
Avokati i Mariglen Buzalit akuzon kryetarin e KVO-së, Ylber Pjeternikajn , njërin nga dy punonjësit që nuk firmosi për tenderin e uniformave të policisë së shtetit.
“Ai duhet të merret i pandehur dhe asnjëri nga këta që janë arrestuar këtu”, mësohet të ketë thënë avokati për skandalin e uniformave të policisë.
“Pjeternikaj ka kërkuar caktimin e dy ekspertëve të fushës së tekstileve dhe pastaj pa pasur informacion në këtë fushë i ka kundërshtuar gjetjet e tyre. Pse i kërkoi ekspertët dhe pastaj nuk i mori për bazë? Si ka mundësi që kryetari i KVO-së nuk ka shkruar që është kundër por ka refuzuar firmën dhe në të njëjtën kohë njofton fituesin?”, shprehet avokati.
“Edhe ky person duhet të merret nën hetim për shpërdorim detyre”, këmbënguli avokati, gjatë masës së sigurisë ndaj 9 zyrtarëve që kanë apeluar masat e arrestit .
Kjo çështje ka nisur në orën 11 dhe deri tani janë dëgjuar katër të dyshuar. Avokati i Flutura Cekrezit , Genc Gjokutaj nga ana e tij kërkoi hetimin e zyrtarëve të policisë.
“Ata e kanë dhënë urdhrin dhe kanë caktuar specifikimet”, tha avokati.
Seanca vijon me dyer të mbyllura dhe ish zyrtaret e deritanishëm pretendojnë se nuk ka shkelje dhe se ish drejtoresha Edlira Naqellari sipas tyre , nuk ka kryer asnjë shkelje.
Top Channel