Gjykata e Tiranës vendosi të lejë në burg 4 nga 5 personat e përfshirë në shpërndarjen e kokainës, të cilët u kapën gjatë operacionit të 27 korrikut në zonën e “Xhamllikut”, ku sekuestrua mbi 1 kg kokainë.
Gjykata dha masën “arrest me burg” për Gentian Kore, Erjon Prengaj, Altin Gega dhe Taulant Çoku, ndërsa për Gazmir Canin “arrest shtëpie”.
Avokati Gentjan Rumano i cili përfaqëson Altin Gegen dhe Erjon Prengën deklaroi gjatë masës në Gjykatën e Tiranës se policia kreu operacion jo profesional.
“Ku është raporti i vëzhgimit dhe raporti i përgjimit?”, akuzoi avokati , sipas të cilit policia nuk ka hetuar as vëzhguar.
“Si u porosit një kg kokainë? Klientët e mi janë të papërfshirë”, tha avokati.
“Është sekuestruar DVR ku ka ndodhur shkëmbimi i drogës dhe thoni qe nuk zbardhet”, tha avokati.
“Policia pretendon se Gega dhe Prenga janë arrestuar në ambient, ata janë arrestuar në makine dhe të dhënat që jep policia janë të dyshimta”, shtoi avokati.
Top Channel ka siguruar dosjen e prokurorisë për operacionin e 27 korrikut në zonën e “Xhamllikut”, ku sekuestrua mbi 1 kg kokainë e përfundoi me arrestimin e 5 të rinjve.
Tre prej tyre kanë refuzuar të japin deklaratat e tyre duke u shprehur se do të flasin në një moment tjetër.
Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 5 të arrestuarit: Gentian Kore, Erjon Prengaj, Altin Gega dhe Taulant Çoku të akuzuar për ”Prodhim dhe shitje narkotikësh”, ndërsa Gazmir Cani për “Kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik”.
Si ndodhi ngjarja:
Më 27 korrik rreth orës 13:00 në zonën e “Xhamllikut”, pikërisht rugën “Kujtim Laro” në Tiranë është parë Gentian Kore dhe tre persona të tjerë të paidentifikuar që hynin dhe dilnin nga dyqani i pikës së makinave me qira të Gentian Kores.
Ata ishin ishin me një makinë të markës “Volvo” me targë DO XC 500. Pasi ata hyjnë në dyqan, vjen një tjetër makinë e markës “Volksëagen” me targë AA573SO nga e cila zbret një djalë me dy kuti picash në dorë dhe futet në biznes.
Sipas dosjes, policia është afruar për të hyrë në dyqanin e pikës për dhënie mjetesh me qira, ndërsa janë larguar me vrap të gjithë personat që ndodheshin aty dhe në atë moment tek dera e dyqanit është bllokuar Gentian Kore.
Më pas Altin Gega dhe Erjon Prengaj shkojnë drejt automjetit tip “Volvo” me targë DO XC 500, ndërsa janë bllokuar nga policia.
Në drejtimin lindor është larguar me vrap djali me kutitë e picave dhe Taulant Çoku, ndërsa ky i fundit nuk ka mundur t’u shpëtojë “bluve”.
Djali me kutitë e picave është futur mes pallateve në rrugën “Gjolek Kokona”, më pas ka hedhur poshtë një makine të parkuar dy kutitë e picave që mbante dhe është larguar me vrap.
Në njërën nga kutitë e picave është gjetur një pako me letër celefoni transparente ku ishte fshehur kokaina.
Në lidhje me incidentin e ndodhur mes gazetarit Ergys Gjençaj, i cili po filmonte ngjarjen dhe policisë, në dosje theksohet se “para dyqanit të pikës së mjeteve është parë një person, duke filmuar me telefon në dorë, në këtë moment nga shërbimet e policisë duke mos qenë e qartë se çfarë po kërkonte ky person, i është kërkuar të largohej, por ai ka vazhduar të filmojë duke u afruar më shumë dhe është bërë pengesë e punonjësve të policisë gjatë zhvillimit të operacionit. Në këto rrethana punonjësit e policisë kanë bërë bllokimin e tij dhe në moment e kanë shtrirë në tokë për ta prangosur dhe ka thënë se ishte gazetar. Pas paraqitjes së dokumentit të cilin e ka marrë tek makina, është identifikuar si gazetar me emrin Ergys Gjençaj dhe është lënë i lirë.”
Më pas policia ka parë një “Mercedes Benz”, me targë AA 909 YE, të cilit i kanë bërë shenjë ndalimi, për ta verifikuar nëse personi në mjet kishte ndonjë lidhje me këtë ngjarje.
Ai nuka pranuar të dalë nga mjeti, i ka dhënë gaz makinës dhe duke u rrezikuar jetën punonjësve të policisë dhe në rrugën e Oxhakut, rreth 200-300 metra më tutje rezultoi se quhej Gazmir Cani, 26 vjeç.
Nga verifikimet e kryera në sistemin e-Gjoba, ka rezultuar se mjeti tip “Volksëagen Foks”, me targa AA 573 SO është në pronësi të Lorena Gega, e cila është pyetur dhe ka deklaruar se ka rreth 2 vite që nuk e përdor këtë makinë dhe se mjeti qëndron kryesisht në restorantin e babait të saj, shtetasit A. Gega, ku ky mjet përdoret nga punëtorët e restorantit për shërbime të ndryshme dhe furnizime.
Është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasi A. Gega, i cili gjithashtu deklaroi se makina qëndron e parkuar afër restorantit ku merret nga punëtorët dhe përdoret për punë të ndryshme si furnizime, dërgesa ushqimesh etj.
Kejvi Skora dhe Klosildo Drisa, punëtorë të lokalit në pronësi të shtetasit Artan Gega, deklaruan se atë ditë kishte ardhur në lokal një person me emrin Edi, i cili kishte marrë makinën tip Volksëagen AA573SO,dhe ishte larguar.
Kejvi Skora u shpreh se Edi, ishte djali i motrës së shtetasit Artan Gega, mbiemrin e së cilës ky nuk ia dinte, por më tej shpjegoi se nëna e tij punonte në restorantin në pronësi të shtetasit Artan Gega.
Me tej, nga këqyrja e pjesshme e kamerave të lokalit, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit Eduard Perhati, të cili i është ushtruar kontroll banese.
Sipas dosjes së prokurorisë, Taulant Çoku deklaroi se ishte gjendur në ambientet e dyqanit në momentin e gabuar dhe se nuk ka lidhje me shitblerjen e lëndëve narkotike.
Ndërsa Gazmir Cani deklaroi se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe arsyeja pse është larguar nga vendi i ngjarjes sapo ka vënë re prezencën e punonjësve të policisë, kishte sepse ishte frikësuar pasi mendoi se do t’i vidhnin makinën dhe se rreth 200 më poshtë vendit të ngjarjes, ishte po ai që lajmëroi policinë për ndihmë, dhe ndaloi kur i pa ato.
Prokuroria kërkon masën “Arrest në burg” për Gentian Koren, 47 vjeç, Erjon Prengaj, 32 vjeç, Altin Gegën, 28 vjeç, Taulant Çokun, 34 vjeç dhe Gazmir Canin, 26 vjeç.
Top Channel