Biden kërkon që secilit person të vaksinuar t’i ndahen 100 dollarë

30/07/2021 09:45

Presidenti amerikan, Joe Biden, u ka bërë thirrje shteteve të ofrojnë nga 100 dollarë për të vaksinuarit kundër koronavirusit, si përpjekje për të rritur shkallën e imunizimit në Shtetet e Bashkuara.

Biden po ashtu ka bërë publike kërkesën për vaksinim të punëtorëve federalë.

Ky urdhër tani u kërkon punëtorëve të tregojnë dëshmi për vaksinim apo të kryejnë teste dhe të mbajnë maskën.

Sipas të dhënave zyrtare, më pak se 50 për qind e banorëve të SHBA-së, janë të vaksinuar plotësisht.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka thënë se masat e reja janë rezultat i përhapjes së variantit Delta të koronavirusit.“Njerëzit janë duke vdekur dhe do të vdesin, ndonëse nuk duhet të vdesin”, ka thënë Biden.

Presidenti amerikan ka thënë se iniciativa monetare mund të duket e padrejtë për amerikanët, që veçse janë vaksinuar, mirëpo “të gjithë ne përfitojmë nëse më shumë njerëz vaksinohen”.

Shtetet amerikane mund të marrin fondet nga Plani amerikan për Rimëkëmbje që ka vlerën e 1.9 trilion dollarëve.

Biden ka thënë se Qeveria federale do të rimbursojë bizneset e vogla dhe ato të mesme, të cilat u ofrojnë punëtorëve ditë pushimi për t’u vaksinuar.

Muajin e kaluar, një studim ka treguar se 99 për qind e vdekjeve me koronavirus, janë regjistruar në mesin e të pavaksinuarve.

Rreth 70 për qind e të rriturve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, sipas Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Mirëpo shkalla e vaksinimit dallon nga shteti në shtet.

Aktualisht autoritetet amerikane regjistrojnë rreth 60,000 raste të reja me koronavirus në ditë, derisa numri i viktimave arrin deri në 2,000 në baza javore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA