Tokio, medaljet e ditës së 8-të, Titmus e Australisë me rekord olimpik

29/07/2021 00:57

Olimpiada e Tokios vijon të dhurojë emocione me garat e shumta, ku më të mirët e botës janë në kërkim të arit.

Australiania Ariarne Titmus vazhdon paraqitjen e saj të jashtëzakonshme në këto lojëra. 20-vjeçarja fitoi medaljen e artë në garën e 200 metrave not stil i lirë për femra. Titmus theu rekordin olimpik me kohën e saj 1 minutë, 53 sekonda e 50 të qindtat, ndërsa rivalja e saj, Katie Ledecky, përfundoi e pesta. 20-vjeçarja mposhti sportistet nga Hong Konku Siobhan Bernadette Haughey, me kanadezen Penny Oleksiak që përfundoi e treta.

Për Hungarinë e siguron një medalje të tillë Kristof Milan, që shpërtheu në garën e 200 metrave not, stil flutur për meshkuj, dhe e bëri këtë në mënyrë të shkëlqyer, pasi vendosi rekord të ri olimpik me kohën 1 minutë, 51 sekonda e 25 të qindtat. 21-vjeçari, një premtim i madh i notit, theu rekordin e vendosur nga legjenda Michael Phelps në 2019-ën.

Ndërkohë japonezja You Ohashi fitoi medaljen e saj të dytë të arit në Lojërat e Tokios, në garën e notit 200 metra stil i përzier për femra, duke e ndalur kronometrin me kohën 2 minuta, 8 sekonda e 52 të qindtat. Ohashi bëri një avancim të fortë në 25 metrat e fundit, ku dha gjithçka për të triumfuar ndaj amerikaneve Kate Douglass dhe Alex Walsh.

Ndërkohë ka një gëzim edhe për notaren e madhe amerikane Ledecky, që pas disfatës në garat e 200 dhe 400 metrave stil i lirë, më në fund ia doli të triumfonte në garën e 1500 metrave stil i lirë, duke marrë kështu edhe medaljen e parë për të, teksa eventi i distancës së gjatë përfshihej për herë të parë në programin olimpik për femrat.

Atletët e Britanisë së Madhe siguruan një tjetër medalje ari në garën 4×200 metra stafetë stil i lirë. Katërshja e kampionit të 200 metrave, Tom Deaen, medalistit të argjendtë Duncan Scott, e plotësuar dhe me James Guy dhe Mathew Richard, iu afruan me 3 të qindtat rekordit botëror, duke fituar me kohën 6 minuta, 58 sekonda e 58 të qindtat, duke lënë pas me plot 3 sekonda e 23 të qindtat katërshen ruse, që përfundoi në vendin e dytë, ndërsa medalja e bronztë u sigurua nga Australia.

Annemiek van Vleuten bëri një fitore të madhe në garën e kronometrit individual për femra në Tokio, një sukses që mund të konsiderohet edhe si revanshi për dështimin që pësoi për disa detaje në garën e rrugës fundjavën e kaluar. Çiklistja holandeze udhëhoqi me më shumë se 6 sekonda në kontrollin e parë dhe pastaj e zgjeroi avantazhin në 28 sekonda, para se të mbyllte gjithë garën në 30 minuta, 13 sekonda e 49 të qindtat në pistën e Fuji International Speedway.

Primoz Roglic kompletoi një muaj të shkëlqyer për çiklizmin slloven, duke fituar medaljen e artë në etapën individuale me kronometër. Ai i shtoi një medalje të artë në këtë mënyrë asaj të bronztë të fituar nga kampioni i “Tour De France”, Tadel Pogecar, në garën e rrugës. Rivali më i afërt i Roglic ishte specialisti holandez, Tom Dumoulin, që përfundoi një minutë pas tij, për të fituar medaljen e dytë të argjendtë në këtë Olimpiadë. Rohan Dennis i Australisë mori medaljen e bronztë.

Kina fitoi medaljen e saj të tretë të arit në hedhjen nga trampolina në Olimpiadën e Tokios. Wang Zongyuan dhe Xie Siyi fituan në hedhjen e sinkronizuar nga 3 metra. Ata e përfunduan garën me 467.82 pikë, pasi kishin kryesuar përgjatë 6 raundeve të hedhjeve. Andrew Cappobianco dhe Michael Hixon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës fituan medaljen e argjendtë me 444.36 pikë, me Hixon që e kishte bërë diçka të tillë edhe 5 vjet më parë në Rio, por me një tjetër partner. Gjermani Patrick Hausding dhe Lars Rudiger bënë një paraqitje të mire, duke u ngjitur nga vendi i 6-të në të 3-tin për të fituar medaljen e bronztë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA